VLEN: 100 ditë të politikave të reja dhe betejë kundër veseve të vjetra!

Sot, koalicioni VLEN në një atmosferë moderne dhe evropiane, me sloganin
“Kalojmë në vepra”, shënoi i pari nga koalicioni qeveritar 100 ditët e
qeverisë së re, në një ngjarje ku morën pjesë liderët, ministrat,
zëvendësministrat, deputetët dhe zyrtarë të tjerë të lartë dhe
aktivistë.
Në cilësinë e moderatorit, Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë
dhe Transparencë, z. Arben Fetai, theksoi arritjet e rëndësishme të
koalicionit, duke përfshirë ndarjen e 100 milionë eurove për komunat,
rritjen e pensioneve, luftën kundër bixhozit, krijimin e 600 vendeve të
reja pune për mjekë specializantë, si dhe themelimin e Akademisë
Shqiptare.
“VLEN nuk është thjesht një alternativë për BDI-në, por një revoltë e
kanalizuar që synon ndryshimin e mirëpritur për shqiptarët. Kjo është
një mundësi e dhënë nga populli, dhe ne do ta mbajmë këtë amanet me nder
e përgjegjësi”, u shpreh Fetai.
Kryetari i Alternativës, z. Zeqirja Ibrahimi, nënvizoi se VLEN ka
treguar një dallim të dukshëm në këto 100 ditë.
“Ata që nuk arritën asgjë për 22 vite, ne e kemi bërë ndryshimin në
vetëm 100 ditë,” tha ai. Prioritetet e VLEN për të ardhmen përfshijnë
reformën në administratën publike, tranzicionin energjetik dhe
zhvillimin e kapitalit njerëzor. Ndër të tjera, Ibrahimi spjegoi
themelimin e Akademisë Shqiptare të Shkencave si një hap të domosdoshëm
për avancimin e intelektualëve shqiptarë.
Kryetari i Lëvizjes Demokratike dhe zëvendëskryeministri i parë, z. Izet
Mexhiti, deklaroi se VLEN përfaqëson një kualitet të ri në përfaqësimin
politik të shqiptarëve. “Ne jemi liderë në qeveri, jo në seli. Koha kur
liderët qëndronin larg përgjegjësisë qeveritare ka marrë fund. Tani, për
çdo ditë, ne jemi në zyrat tona, duke zgjidhur problemet e qytetarëve,”
u shpreh ai.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe ministri i Shëndetësisë, z. Arben
Taravari, i cili u kyc me video lidhje nga SHBA-të, theksoi se
qytetarët shqiptarë më në fund ndihen të liruar nga pushteti 22-vjeçar.
“Po ndërtojmë një të ardhme ku fuqia qëndron në duart e popullit, jo në
xhepat e të korruptuarve,” tha Taravari, duke shtuar se Ministria e
Shëndetësisë tashmë po funksionon në shërbim të qytetarëve, larg
korrupsionit.
Kryetari i Lëvizjes BESA dhe kryetari i Komunës së Tetovës, z. Bilall
Kasami, kritikoi BDI-në për dështimet e saj, veçanërisht në
decentralizim. “VLEN është këtu për të ndrequr padrejtësitë dhe për të
garantuar që komunat shqiptare të kenë decentralizim real, jo premtime
boshe,” tha ai.
Koalicioni VLEN në këto 100 ditë ka dëshmuar se posedon dituri,
vullnet, integritet dhe fuqi reale për ndryshim. Ata potencuan se vijon
një luftë institucionale për të sanksionuar të gjitha dukuritë devijuese
të qeverisjes së kaluar dhe mbesin të përkushtuar për ndërtimin e një të
ardhmeje më të ndritur për të gjithë shqiptarët e këtij vendi, me një
qasje të ndershme, transparencë dhe konsistencë drejt përmbushjes së
premtimeve parazgjedhore.
Në këtë drejtim, në fund të ngjarjes, të gjithë zyrtarët nga radhët e
koalicionit VLEN nënshkruan deklaratën e pranimit të kodit të etikës, me
të cilin morën përsipër të shërbejnë ekskluzivisht në interes të
qytetarëve dhe do t’i respektojnë të gjitha standardet më të larta
demokratike në ushtrimin e kompetencave publike.

Marketing