VLEN: Angazhohemi për zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe

Të dashur qytetarë, përfaqësues të mediave,
Sot kemi një ditë të madhe! Një ditë që tregon se kur punohet me
përkushtim, rezultatet janë të pashmangshme. Angazhimi i koalicionit
qeverisës, bashkëpunimi mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, dhe
sidomos puna e jashtëzakonshme e ekipit të VLEN-it, po sjellin ndryshime
konkrete në jetën e qytetarëve tanë!
Lajmi i madh? Pikat kufitare Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë –
Jazhincë do të jenë plotësisht funksionale në një pikë të përbashkët!
Nuk ka më pritje të gjata, maltretime e pengesa për ata që udhëtojnë mes
dy vendeve tona vëllezërore. Kjo është një arritje historike që ndihmon
çdo familje dhe forcon lidhjet tona kombëtare!
Por kjo është vetëm fillimi! Marrëveshjet që kemi nënshkruar dje janë
hapa të tjerë drejt të nesërmes e të ardhmes tonë që meritojmë:
1. Memorandumi për energjinë – energji më e lirë, më e qëndrueshme dhe
më e aksesueshme për çdo familje dhe biznes.
2. Marrëveshja për arsimin – një fokus i veçantë për aftësimin
profesional të të rinjve, sepse e ardhmja është në duart e tyre.
Tani, le të ndalemi pak te një çështje që është përpjekur të krijojë
debate artificiale. Pas vizitës sonë në Kosovë, disa politikanë të
deshperuar, që nuk kanë bërë asgjë për qytetarët, po përpiqen të shpikin
armiq dhe të hedhin baltë. Madje, disa guxuan ta quajnë kryeministrin
Albin Kurti “antishqiptar”! Kryeministrin që ka qenë gjithmonë në krah
të shqiptarëve, në çdo cep të botës!
Dhe pse gjithë kjo zhurmë? Sepse Kurti e tha troç të vërtetën për
statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut! Kush po e kritikon?
Opozita e 20%-shit! Ata që për 22 vite kanë heshtur dhe nuk kanë bërë
asgjë për shqiptarët! Ata që kanë lënë shqipen të mbetet peng i një
ligji të cunguar dhe të gjykatësve të emëruar nga vetë ata!
VLEN-i thotë me zë të lartë: Shqipja nuk do të jetë përqindje! Shqipja
është krenaria jonë, identiteti ynë kombëtar, dhe nuk ka forcë që të na
ndalë ta vendosim atë aty ku e ka vendin!
Ata që kanë përvetësuar miliona duke abuzuar me ndjenjat patriotike të
popullit, tani duhet të përgjigjen! Koha e manipulimeve ka marrë fund!
Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë më të bashkuara se kurrë, dhe askush
nuk mund të krijojë ndarje mes nesh!
Qytetarë të dashur, mos lejoni që lojërat e vjetra të politike të marrin
kohën tuaj. Ne jemi këtu për ju, për të sotmen dhe për të ardhmen tuaj.
Me VLEN-in dhe këtë qeveri, ndryshimi është realitet!
Faleminderit!

Marketing
Marketing