VLEN: BDI 22 vite mbajti peng shqiptarët

Pas akuzave të përditshme të BDI-së ndaj qeverisjes së VLEN-it, dhe siç thonë ata, de-shqiptarizim të institucioneve në Maqedoninë e Veriut, VLEN-i sot doli me kundërakuza ndaj të njëjtës parti. Nga kjo e fundit thonë se BDI-ja për 22 vite, me një bandë politikanësh, kanë mbajtur peng shqiptarët me premtime boshe, kontrata tremujore, shpëtimin e Mijallkovit, ndihmën për arratisjen e Gruevskit, zhytjen e rinisë në varfëri dhe bixhoz. Nuk u la pa u përmendur edhe fakti i futjes në listën e zezë amerikane të Artan Grubit dhe gjyqtarit, Enver Bexheti.

Marketing

 

“Ata ndryshuan Kodin Penal për të shpëtuar vetë nga burgu. Shpëtuan edhe Mijallkovin, që sot shëtitet në Monte Karlo me Ferrari, ndërsa shqiptarët mezi sigurojnë bukën e gojës. BDI dhe kumbaria me Nikolla Gruevskin, e ndihmuan atë të ikë nga shteti dhe pastaj në mënyrë spektakolare deshën ta kthejnë në Shkup. Ata e zhytën rininë shqiptare në varfëri dhe në bixhoz, ndërsa vetë i mbushën xhepat me para.”, – deklaroi Driton Sulejmani nga VLEN.

 

Driton Sulejmani nga koalicioni VLEN shtoi se BDI dhe Prokuroria e Islam Abazit dha pëlqim për faljen e organizatorëve të 27 prillit, pasi kështu mendojnë t’i vardisen dikujt, ndërsa tani, shtoi ai, kanë fytyrë të flasin për de-shqiptarizim e për gjuhën shqipe.

 

“E gjithë përbërja e Gjykatës Kushtetuese është zgjedhur nga shumica e LSDM-së dhe BDI-së. Janë vetë ata që krijuan termin “Gjuha që flasin 20%” dhe sot bëjnë sikur e mbrojnë gjuhën shqipe. Dhe mos të harrojmë, më 9 dhjetor me vulë amerikane, Artan Grubi u fut në listën e zezë, bashkë me gjykatësin, Enver Bexheti, morën para për ta liruar Mijallkovin. Kjo është BDI, këta janë ata që për 22 vite e lanë popullin në mjerim. Nuk ka de-shqiptarizim, ka vetëm një gjë, BDI po lufton me çdo kusht për ta shpëtuar krimin e vet.”, – theksoi Driton Sulejmani nga VLEN.

Sa i përket punës së tyre, Sulejmani numëroi një sërë projektesh me miliona euro që po planifikohen në universitet, shkollat dhe institucionet tjera shqiptare. Ndërkohë, BDI-ja dje kritikoi buxhetin e Ministrisë së Kulturës, për të cilin tha se shqiptarët janë të diskriminuar.