VLEN: Fronti i Ahmetit dhe Selës vepron pa busull

Menduam se 100 ditë janë kohë e mjaftueshme që Ahmeti dhe Sela ta
pranojnë realitetin dhe t’i kthehen riorganizimit të brendshëm kadrovik
dhe programor, para se të fillojnë të kërkojnë besimin e shqiptarëve.

Marketing

Megjithatë, duke nënvlerësuar naivisht inteligjencën e popullit, ata
ngulin këmbë që mungesën e tyre në këtë qeveri ta shndërrojnë në arsye
për të krijuar tensione ndëretnike.
Fakti që ky skenar tinëzar nuk po u kalon te shqiptarët, të cilët ua
bënë të qartë se nuk do të bëhen mjet për mbrojtjen e ish-funksionarëve
të tyre të korruptuar, i ka bërë Ahmetin dhe Selën të frustruar, të
hutuar dhe pa busull. Gjithë verën premtuan protesta në vjeshtë, pastaj
kaluan në takime me anëtarësinë e tyre të zhgënjyer, shkruajnë letra
patetike dhe i shtyjnë deputetët të jenë si pano të lëvizshme.

Koalicioni VLEN i kujton opozitës së çorientuar shqiptare se i detyrohet
opinionit përgjigje për shumë pyetje të ndjeshme, të cilat kanë mbetur
në kujtesën e tyre si shenjë dalluese e regjimit të tyre dhe si një
përkujtim për hipokrizinë dhe dyfytyrësinë e tyre të sotme.

Pse “perëndimorët” e BDI-së iu përulën Lavrovit në mes të Shkupit? Pse,
sa ishin në pushtet, i dhanë shtetësi Aleksandër Onishçenkos, ndërkohë
që mijëra shqiptarë të lindur në Maqedoni i lanë pa shtetësi? Pse i
dhanë biznese në Tetovë Daka Davidoviqit, që është në listën e zezë të SHBA-së?

Pse Ahmeti nuk shkruante letra për mbrojtjen e shqiptarëve kur ishte
pjesë e Qeverisë së Gruevskit dhe Mijallkovit? Pse Ahmeti vendosi ta
pengojë Arben Taravarin të hyjë në raundin e dytë të zgjedhjeve
presidenciale dhe i bëri thirrje votuesve për bojkotimin e zgjedhjeve
për president më 8 maj? Pse Ahmeti rrejshëm pohonte se është partner i
sigurtë koalicioni me VMRO-DPMNE-në në Qeveri, sepse gjoja ka
mbështetjen e partnerëve strategjikë ndërkombëtarë?

Kush është krijuesi i ofertës së turpshme të BDI-së, e bërë në
kancelarinë kuvendore me numër 161, për hyrje në Qeveri në vend të
VLEN-it, me katër ministri, pa kryetar të Kuvendit dhe me premtimin për
mbështetje në terren për të zgjedhur maqedonas për kryetarë të komunave
në Strugë dhe Kërçovë në zgjedhjet lokale të vitit 2025?

Pse Ahmeti përmes instalimeve të tij në drejtësi po tenton të
destabilizojë vendin përmes vendimeve për ta mbajtur në paraburgim
luftëtarin e UÇK-së Blerim Ramadani, duke hequr balancuesin, tentimin
për ta sjell Ligjin për branitellat dhe duke problematizuar përdorimin e
gjuhës shqipe?

Si dhe me miliona euro të kujt, Drin Ahmeti u bë pronar i Soravisë? Sa
tenderë kanë fituar nipërit e Ahmetit falë regjimit të BDI-së? Ku janë
milionat nga bizneset e kazinove të Artanit dhe Përparimit? Sa para të
popullit kanë përfunduar në xhepat e funksionarëve të BDI-së?
Pse Ahmeti dhe Osmani po punojnë aktivisht kundër anëtarësimit të plotë
në BE, duke penguar të ndodhin ndryshimet kushtetuese?

Përderisa nuk ka përgjigje për këto dhe shumë pyetje të tjera, fronti i
Ahmetit dhe Selës nuk ka çfarë të kërkojë nga shqiptarët.
Koalicioni VLEN është shpresa e shqiptarëve!

Marketing