VLEN-i fillon procedurën e shkrirjes në një subjekt të vetëm politik

Pas “vetëpërjashtimit” të Aleancës për Shqiptarët në krye me Arben Taravarin nga koalicioni VLEN, Lëvizja Demokratike, Alternativa, Lëvizja Besa dhe përfaqësues i Vetëvendosjes, kanë filluar procedurën e shkrirjes në një subjekt të vetëm politik. Në takimin e një dite më parë në Strugë, është marrë vendimi për formimin e kryesisë së përbashkët qendrore prej 23 anëtarëve. Kreu i LD-së, Izet Mexhiti, për Alsat tha se shqiptarët në zgjedhje duhet të ketë vetëm dy opsione në kampin politik shqiptar, ndërsa shndërrimi i VLEN-it në parti ka për qëllim që të mos lejojë defaktorizimin dhe përçarjen e votës shqiptare.

Marketing

 

“Fillimisht është sjellë vendimi që qendra mediatike, komisioni kadrovik, të formohen edhe departamente ekonomike, juridike, për arsim dhe të gjitha fushat, pra të jenë të përbashkëta dhe poashtu u soll vendimi të formohet edhe kryesi qendrore e përbashkët e VLEN-it prej 23 anëtarë ku do të ketë anëtarë nga katër subjektet por nuk përjashtohet që aty të kyçen edhe anëtarë nga jashtë VLEN-it, pra intelektualë”, tha Izet Mexhiti – VLEN.

Mexhiti nuk konfirmon kryesinë e partisë së re. Informacionet që dolën së fundmi për atë se kush do të ishte kryetari e kush nënkryetar i VLEN, i quan si të porositura nga kuzhinat e BDI-së.

 

“Ndërsa sa i përket liderit, mendoj se kjo do të shkon në procedurë të rregullt, organizim të kongresit, të kandidaturave dhe ai që do të jetë më i mirë, atij do t’i jepet dora të udhëheqë VLEN-in. VLENi nuk është i ngarkuar me individë po as me ngjyra partiake, të LD-së, Aleancës, Besës, pra VLEN për momentin kërkon zgjidhje nuk kërkon problem”, deklaroi Izet Mexhiti – VLEN.

Krerët e VLEN-it përshpejtuan procedurat për formimin e shpejtë të partisë, pas përplasjeve me kreun e ASH-së Taravari dhe vendimit të tij që në zgjedhjet lokale të garojë me lista të veçanta kandidatësh. /Alsat.mk