VLEN-i, pjesë e Qeverisë së ardhshme, Sali: Kemi legjitimitet, si koalicion i vetëm etnik

Koalicioni VLEN është koalicion i përbërë nga parti të pastra shqiptare dhe si e tillë ka legjitimitetin t’i përfaqësojë shqiptarët në ekzekutiv, vlerësoi kryetari i Alternativës, Bekim Sali, në emisionin ZOOM. Sali thotë se dy koalicionet kanë dallime esenciale, pasi VLEN-i përfaqëson shqiptarët, kurse “Fronti Evropian” qytetarët.

Marketing

“Në momentin kur opozita shqiptare u unifikua ashtu siç u formua koalicioni VLEN, z. Ahmeti tha se nuk luaj më në ligën etnike, por do të jem në superligë me të gjitha etnitë tjera. Domethënë, në një moment e ndërroi dresin e lojës dhe tha se unë do të merrem tani me koalicionet maqedonase, me LSDM-në dhe VMRO-në. Sipas rezultatit, ato janë partia apo koalicioni i tretë në atë superligë dhe në ligë na lanë vetëm ne që t’i përfaqësojmë shqiptarët.”, – deklaroi ushtruesi i detyrës kryetar i Alternativës, Bekim Sali.

Cili do të jetë fati i VLEN-it? Sali: Bashkohemi, nëse na e kërkojnë qytetarët

I pyetur se si do të vazhdojë të funksionojë koalicioni VLEN në të ardhmen, Sali tha se VLEN-i është formuar si pasojë e kërkesës së qytetarëve, nëse do të jetë kërkesa e qytetarëve të veprojnë si një subjekt politik, mund të ndodhë një gjë e tillë.

“Koalicioni VLEN e dëgjoi zërin e votuesit dhe si rezultat i kësaj u formua koalicioni. Për herë të parë pesha iu dha votuesit. Deri tani kemi qenë parti politike, të cilët janë bashkuar dy parti, por me të tretën nuk kemi arritur të bashkohemi. Këtë peshë të cilën e ka marrë votuesi sot, unë sinqerisht uroj që votuesi përsëri ta merr këtë peshë edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe publikisht t’ua thotë të gjithë liderëve, nëse nuk jeni bashkë nuk ka përkrahje. Ju do të bëheni një parti politike a do të quheni koalicioni VLEN dhe do t’i shkrini të gjitha partitë politike, është çështje e juaj, por ju duhet të vazhdoni të jeni bashkë.”, – theksoi ushtruesi i detyrës kryetar i Alternativës, Bekim Sali.

Sali nuk përjashtoi se janë në komunikim me deputetë që nuk janë pjesë e shumicës së re parlamentare, për t’u bërë pjesë e saj. Ai tha se secili që e gjen veten duhet të kyçet në shumicë parlamentare deri sa ende nuk është finalizuar programi qeverisës, që të mund të realizojnë programet e tyre.(Tvm2)