VLEN: Mërgata pjesa më vitale e vendit!

Zëvëndëskryeministri, Arben Fetai, së bashku me zëvendësministrin e Brendshëm, Astrit Iseni, mbrëmë takuan dhe bashkëbiseduan me bashkatdhetarët tanë në Vjenë, Austri. Sipas zëvëndëskryeministrit Fetai Ishte një mbrëmje e veçantë, e mbushur me energjinë dhe përkushtimin e mërgatës tonë, e cila vazhdon të jetë pjesa më vitale e kombit. “Mërgata shqiptare ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në historinë tonë, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në lëvizjet çlirimtare në kryqëzimin e dy shekujve dhe duke qenë shtyllë e fortë për zhvillimin ekonomik të trojeve tona. Gjatë takimit, dëgjuam me vëmendje hallet, shqetësimet dhe kërkesat e tyre. Diskutuam mbi nevojën për një trajtim më dinjitoz nga ana e institucioneve shtetërore, më shumë përkrahje për ruajtjen e identitetit tonë përmes arsimit dhe kulturës, si dhe për lehtësime konkrete që do t’i nxisin investimet nga ana e mërgimtarëve”, ka shkruar zëvëndëskryeministri, Arben Fetai. Ai ka shtuar tutje që zotimet e qeverisë janë të qarta drejt forcimit të lidhjeve me mërgatën. “Zotimi ynë është i qartë: Qeveria do të punojë për të forcuar lidhjet me mërgatën dhe për të siguruar që zëri i tyre të dëgjohet dhe të respektohet. Sepse ata janë jo vetëm ambasadorët më të mirë të kombit tonë në botë, por edhe një burim i pashtershëm i forcës dhe vizionit për të ardhmen. Faleminderit për mikpritjen dhe frymëzimin që na dhatë!”, ka përfunduar zëvëndëskryeministri Fetai.

Marketing

https://www.facebook.com/share/15vxfRKLcr/