Nuk ka afat konkret, megjithatë, para deputetëve në Kuvend, brenda këtij viti mund të jetë edhe ligji për ish ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe veteranët e saj.
Një gjë të tillë e paralajmëron deputeti i koalicionit VLEN, Rijad Shaqiri, i cili për Klan Maqedoni deklaron se janë dy verzione, njëri i përbashkët me “Branitellat” e tjetri ekskluziv për veteranët dhe ish ushtarët e UÇK-së.
Shaqiri ka njoftuar se drafti i ligjit veçmë ka filluar të përpunohet brenda koalicionit VLEN megjithatë për të njëjtin pritet që VLEN të flasë edhe me partnerët e koalicionit, VMRO-DPMNE dhe ZNAM.
“Është një draft version i ligjit të cilin jemi duke e punuar d.m.th, bashkasrisht me grupin parlamentar të koalicionit VLEN, iniciativa ka qenë e imja. Është ligji i cili është gjithë-përfshirës, i kemi shqyrtuar dy mundësi të këtij ligji, një ligj të përbashkët edhe me “Branitellat” ku do të inkorporohen edhe ish ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare apo realisht, të dëmtuarit nga lufta e 2001-shit. Verzioni tjetër është version veçmas për ish ushtarët e UÇK-së. Nuk është diçka e re, por është në përpunim e sipër. Në atë ligj ngërthehen të drejtat e barabarta për të gjithë ata të cilët kanë qenë të involvuar në konfliktin e 2001-shit, sikur për forcat mbrojtëse ashtu edhe për ish ushtarët e UÇK-së dhe familjet e tyre” – tha Rijad Shaqiri, VLEN.
Për Blerim Bexhetin, përfaqësuesit e VLEN-it, janë shumë jo serioz. Sipas tij, koalicioni shqiptar brenda një periudhe ka premtuar, ligj për përfaqësim të drejtë, integrime në BE dhe shumë gjëra tjera, megjithatë nuk ka realizuar asgjë.
Shton se përfaqësuesit e VLEN-it nuk e thonë në mbrëmje atë që e thonë në mëngjes. Thotë se ky paralajmërim vjen për të marrë ndonjë votë më tepër në zgjedhje lokale, sepse deklaron se populli do ta dënojë VLEN-in.
“Ata deklaruan që nuk preket gjuha shqipe, procesi në gjykatën kushtetuese po vazhdon edhe më tutje me dinamikë që e dikton kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe iniciatorët, një ndër ta edhe VMRO-DPMNE-ja. Ata deklaruan se s`ka birë nane që e prek flamurin, u përdhos flamuri shqiptar. Ata shumë gjëra kanë deklaruar, unë i kuptoj, pasi që pyetët cili është opinioni, komenti se a do i mbështesim, nuk mund t’i mbështesim ne në këtë vazalitet ekstrem të skajshëm që kanë, sepse nuk do të mund të ikin nga ballafaqimi me popullatën, janë të vetëdijshëm që zgjedhjet lokale janë afër dhe gjithnjë, premtojnë për 3-4 muaj” – tha Blerim Bexheti, BDI.
Për draft ligjin e paralajmëruar nga VLEN, Klan Maqedoni, foli edhe me deputetin shqiptar të LSDM-së njëherit edhe zv. Koordinatorin e Grupit Parlamentar të LSDM-së, në Kuvend, Fatmir Bytiqin.
Ai tha se do të jetë i pari që do të mbështesë një propozim ligj të tillë, nëse i njëjti është zgjidhje e duhur. Thotë se LSDM-ja është e hapur për të zhbërë çdo të padrejtë që është bërë 20 vite më parë.
Mendoj se i takon partisë e cila ishte një ndër iniciatore e konfliktit, ajo është VMRO-DPMNE-ja që të del me një ligj të tillë, patjetër që do të jemë i pari që në mënyrë të hapur do të flas për përkrahje nëse zgjidhja është e drejtë për të gjithë. Nëse zgjidhja është parciale, mendoj se nuk kemi çfarë të flasim” – tha Fatmir Bytyqi, LSDM.
Kujtojmë për shkak të kërkesës për përfshirje të ish ushtarëve të UÇK-së në ligjin e “Branitellave” dhe bllokimit të ligjit të “Branitellave”, VMRO, ZNAM dhe “Levica” përmes interpelancës shkarkuan nga pozita e kryetares së komisionit parlamentar, deputeten Ilire Dauti.
Në mbështetje të Dautit dhe kërkesës për futjen e ish ushtarëve të UÇK-së në ligjin e lartë përmendur ka qenë edhe koalicioni VLEN. /tvklan.