VLEN: Shqiptarët nuk do të bëhen viktima të skenarëve destruktive të dikujt!

VLEN: SHQIPTARËT NUK DO TË BËHEN VIKTIMA TË SKENAREVE DESTRUKTIVË TË DIKUJT!
Koalicioni VLEN qëndron fort dhe pa kompromis në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve dhe të ardhmes evropiane të Maqedonisë së Veriut. Përkundër sulmeve të organizuara dhe spekulimeve nga ana e Bashkimit Jodemokratik për Dezintegrim, ne vazhdojmë të ndërtojmë ura bashkëpunimi në nivel vendor, rajonal dhe ndërkombëtar.
Vizita e zëvendëskryeministrit të parë, Izet Mexhiti, në Shqipëri, ku zhvilloi takime me liderët e lartë të shtetit shqiptar, konfirmoi lidhjet tona të forta dhe vëllazërore. Po ashtu, vizita e ministrit për Eurointegrime, Orhan Murtezani, në Austri, për të avancuar integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, dëshmon përkushtimin tonë të palëkundur për të përshpejtuar agjendën e eurointegrimeve.
Në të njëjtën kohë, BDI-ja, e cila është e mbushur me skandale korruptive, vazhdon të luajë lojëra të rrezikshme me qëllim të vetëm: të përdorë shqiptarët si mburojë për të shpëtuar nga drejtësia. Por drejtësia do t’i arrijë!
Ndërkohë që megafonët e tyre kanë marrë përsipër të përhapin thashethemet se Ali Ahmeti gjoja është në linjën e CIA-s, në fakt ata jo vetëm po bëjnë një tjetër gabim por edhe fshehin të vërtetën e ashpër. Pas bojkotit të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ofertat e pahijshme për VMRO-DPMNE-në për të hyrë në Qeveri pa dinjitet dhe kushte, skandalet korruptive të familjes së Ahmetit, BDI-ja pa reforma programore dhe kadrovike është ngrirë në kohë të pacaktuar. Në të njëjtën kohë, atyre qartë u është thënë se çdo lojë sipas notave ruse dhe shkaktimi i tensioneve do të sanksionohet ashpër. Gjithçka tjetër janë vetëm përralla që synojnë ngjeshjen e radhëve të BDI-së dhe të ashtuquajturit Fronti Evropian.
Është koha që të gjithë të kuptojnë se VLEN nuk do të lejojë që loja e errët e manipulimeve dhe skemave për tensione të bëjë shqiptarët viktima të një klike politike korruptive që 22 vjet është pasuruar mbi kurrizin e tyre. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për interesat e popullit tonë dhe me punë të përkushtuar do të sigurojmë përparimin e qëndrueshëm të vendit tonë.

Marketing
Marketing