Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në kuadër të angazhimeve të tij për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe punësimit, realizoi një vizitë pune në Katar, ku u takua me ministrin e Punës, Dr. Ali bin Saeed bin Sumaikh Al-Marri.
Gjatë takimit, ministri Durmishi theksoi rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit dypalësh dhe thellimit të marrëdhënieve në fushën e investimeve, duke potencuar klimën e favorshme dhe kapacitetet që ofron Maqedonia e Veriut për investitorët e huaj.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte marrëveshja për rregullimin e punësimit të punëtorëve mes dy vendeve, e cila është në fuqi që nga marsi i vitit 2012. Ministri nënvizoi se me ndryshimet e fundit ligjore, duke filluar nga qershori, Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të marrë në kompetencë çështjet e marrëdhënieve të punës, punësimit, standardit të jetesës dhe mbrojtjes së punëtorëve, gjë që do të lehtësojë më tej investimet dhe shkëmbimin ekonomik mes dy vendeve.
VLEN mbështet fuqishëm përpjekjet për thellimin e marrëdhënieve me Katarin dhe vlerëson si shumë të rëndësishëm synimin për të lidhur një memorandum bashkëpunimi, i cili do të rregullojë fushat kryesore të bashkëpunimit ekonomik dhe të punësimit.
Në kuadër të kësaj vizite, ministri Durmishi vuri në pah angazhimin e vazhdueshëm për të ndjekur situatën e punëtorëve nga Maqedonia e Veriut që punojnë në Katar në sektorë të ndryshëm si hoteleri, ndërtim dhe shëndetësi. Në këtë drejtim, u diskutua nevoja për një marrëveshje të re dypalëshe për ndërmjetësimin e punësimit, e cila do të rregullojë procesin e rekrutimit të punëtorëve, dhënien e vizave të punës, të drejtat dhe detyrimet e punonjësve dhe punëdhënësve, si dhe rolin e agjencive kombëtare të punësimit.
Për koalicionin VLEN, përmirësimi i klimës së biznesit dhe nxitja e investimeve të huaja janë prioritete kyçe për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit. Prandaj, angazhimi për të sjellë investitorë nga Katari përbën një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit ekonomik dhe përmirësimit të standardit të jetesës për qytetarët tanë.