VMRO-DPMNE ka lëshuar sot një sërë akuzash ndaj pushtetit të LSDM-së dhe BDI-së për çështjen e pasaportave. Sipas kësaj partie, pushteti ka qenë i paaftë të menaxhojë situatën me skadimin e afatit të pasaportave.
“LSD dhe BDI për shkak të paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së tyre i burgosën qytetarët në ‘arrest shtetëror’. Ata vendosën për qytetarët detyrimin për ndryshimin e dokumenteve personale dhe të udhëtimit me afat dhe nuk bënë asnjë plan për zbatimin e tij. Përkundrazi, ka dyshime të bazuara se për t’i bërë telash ministrit teknik nga opozita, me vetëdije kanë krijuar mungesë formularësh, për shkak të së cilës 100 mijë qytetarë tashmë të fotografuar nuk mund të marrin dokumentet”, thonë nga opozita
Për këtë keqtrajtim të qytetarëve, sipas VMRO-së, duhet të ketë përgjegjësi. Ata kërkojnë mbështetje nga pushteti për ndryshime ligjore në lidhje me afatin e pasaportave.
“Tani që çdo gjë është e qartë për qytetarët dhe kur paaftësia dhe papërgjegjshmëria e LSD-së, BDI-së, Kovaçevskit dhe Spasovskit është e dukshme dhe kur populli është çuar në qorrsokak, VMRO-DPMNE u ofron zgjidhje për këtë situatë. Përkatësisht, LSD dhe BDI duhet të lejojnë deputetët e tyre në Kuvend të mbështesin propozimin e ligjit të VMRO-DPMNE-së dhe pasaportat të vazhdojnë të jenë të vlefshme. Sipas ekspertëve dhe publikut, kjo zgjidhje është e zbatueshme dhe e pranueshme”, thonë nga opozitarja VMRO-DPMNE.