Partia opozitare VMRO-DPMNE dhe ajo në pushtet, LSDM kanë vazhduar përplasjet e tyre në lidhje me ajrin e ndotur. Opozita maqedonase sërish ka akuzuar qeverinë se nuk ka bërë asgjë për përmirësimin e ajrit dhe vendi tashmë dy muaj radhitet ndër vendet më të ndotura në botë.
Nëpërmjet një komunikate më shkrim, nga kjo parti kanë theksuar se qytetarët edhe këtë dimër do të thithin ajër të ndotur ndërsa pushteti nuk do të realizojë asnjë masë për të zbutjen e pasojave.
“Qytetarët 2 muaj thithin ajër të ndotur me praninë e grimcave kancerogjene disa hërë më shumë nga ajo që është e lejuar. Shkupi 2 muaj është në mesin e 10 qyteteve më të ndotur në botë, përderisa në Evropë qyteti më i ndotur. LSDM ka harxhuar 7 miliardë euro për dy vite, ndërsa asnjë denar nga ato nuk i ka dhënë për përmirësimin e ndotjes së ajrit. LSDM ka nxirë shtetin, kanë dhënë premtime të panumërta ndërsa anjë nuk ka realizuar. Pikërisht për këtë ky pushtet duhet të largohet”, thonë nga VMRO – DPMNE.
Ndërsa, nga LSDM janë përgjigjur se gjatë kohës kur ishte në pushtet VMRO u shkatërruar gjelbërimi, gjë që ka rezultuar me ndotje ekstreme të ajrit që ndjehet edhe sot. Për dallim nga kjo LSDM, siç theksohet në komunikatë, po ndërmerr masa në nivel lokal dhe nacional përmes së cilave zgjidhet problemi shumë vjeçar me ajrin e ndotur.
“Po rikonstruohet gjelbërimi që ishte shkatërruar në mënyrë sistemore. Në Shkup, Manastir, Veles por edhe në vende të tjera në shtet zbatohet aksion për gjelbërim, mbillen fidane dhe rikonstruohet gjelbërimi.
Deponitë po pastrohen në mënyrë intensive, janë shpeshtuar inspeksionet, po ndërrohen energjencat joekologjike nëpër shkolla. Janë përforcuar aktivitetet për gasifikim, në rrjedh është subvencionimi i furrave ekologjike me peleta për ngrohjen e shtëpive”, thonë nga LSDM.
Më tej nga kjo parti kanë shtuar se, planifikohet furnizimi i 40 autobusëve ekologjik për qytetin e Shkupit ndërsa parashihet edhe furnizimi në qytetet e tjera si Manastiri dhe Prilepi.