VMRO-ja opozitare ka akuzuar pushtetin dhe kryeministrin Kovaçevski se po përgjon në mënyrë të palejuar qytetarët e vendit.
Edhe Prokuroria, sipas VMRO-së, prej një jave po hesht për skandalin e softuerit Predator, i cili synon të përgjojë qytetarët. Partia e Mickoskit pyet kryeministrin, Dimitar Kovaçevski se pse ka lejuar që Maqedonia të blejë softuerin Predator, në kundërshtim me të gjitha procedurat ligjore.
“Kompania Sytrox, e cila është në listën e zezë të SHBA-së për shkelje të sigurisë kibernetike të qytetarëve dhe organizatave në mbarë botën, ka zhvilluar në Shkup softuerin spiun Predator. Me këtë softuer, Kovaçevski dhe LSD në mënyrë të paligjshme monitorojnë dhe përgjojnë masivisht qytetarët dhe drejtpërdrejt shkelin të drejtën kushtetuese për privatësi dhe fshehtësi”, akuzojnë nga VMRO-DPMNE.