VMRO-DPMNE shfaqet edhe në Serbi

Emri i partisë më të madhe në pushtet në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DPMNE, ka një muaj që figuron si shoqatë (person juridik) në regjistrin e vetëm të taksapaguesve në Serbi.

Marketing

“VMRO-DPMNE Serbia” quhet lëvizja e cila u formua në Beograd më 25 gusht, ndërsa aplikacioni për regjistrim u dorëzua më 9 shtator.

Si përfaqësues i saj figuron shtetasi maqedonas Marjan Jovanoski, dhe fusha në të cilën lëvizja do t’i arrijë qëllimet e saj është “promovimi dhe popullarizimi i kulturës, historisë dhe veçorive maqedonase”, sipas dokumenteve nga regjistri serb i siguruar nga Radio Evropa e Lirë (REL).

Ka ngjashmëri mes shoqatës serbe dhe partisë në Maqedoninë e Veriut edhe në simbolin, që siç shkruhet në statutin e lëvizjes VMRO-DPMNE Serbia, është “një figurë e stilizuar e një luani me një kurorë të kuqe në kokë”.

Si VMRO DPMNE-ja, ashtu edhe themeluesi i shoqatës, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se partia ishte informuar vetëm para se të formohej lëvizja serbe. Por, sipas përgjigjes nga të dyja palët, partia nuk qëndron pas shoqatës.

“Si parti politike jemi informuar për këtë iniciativë, për të cilën është dhënë pëlqimi sepse gjithmonë kemi përkrahur zotimet për përkrahje dhe avancim të komuniteteve maqedonase dhe jashtë Maqedonisë [së Veriut]. Sa i përket qëllimit, u informuam se bëhet fjalë për regjistrimin e Lëvizjes që do të avancojë kushtet ekonomike, kulturore, civile dhe politike në Maqedoni dhe në Serbi dhe promovimin e tyre”, thanë nga VMRO DPMNE-ja.

Kurse, themeluesi Jovanoski në një bisedë për REL-in tha se strukturat partiake kanë qenë të vetëdijshme se një shoqatë e tillë do të themelohet në Serbi, por theksoi se iniciativa për regjistrim është ide autoktone – personalisht e tij dhe e një grupi maqedonas me mendim të njëjtë që jeton dhe punon në Serbi.

“Duke qenë se kemi dashur që emri i Lëvizjes të përmbajë emrin VMRO-DPMNE, e kemi parë të këshillueshme që të kemi një bisedë joformale me strukturat drejtuese të partisë VMRO-DPMNE nga Maqedonia [e Veriut]. Jemi konsultuar për përdorimin e emrit të partisë, VMRO-DPMNE, si pjesë e emrit të lëvizjes në Serbi, për ç’gjë kemi marrë pëlqimin dhe se nuk ka asnjë pengesë nga ana e tyre që ta përdorin si pjesë të emrit të lëvizjes”, tha Jovanoski.

Themeluesi Jovanoski është ish-punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë (MPJ), ndërsa nga prilli është sekretar i Këshillit Nacional të Pakicës Kombëtare Maqedonase në Serbi.

Bëhet fjalë për organe që janë formuar sipas Ligjit serb për Këshillat Kombëtare të Pakicave Kombëtare. Këtyre këshillave, sipas shpjegimit të Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogut Social të Serbisë, u janë besuar kompetenca publike për të marrë pjesë në vendimmarrje për çështje të caktuara të kulturës, arsimit, informimit dhe përdorimit të gjuhëve me qëllim për të realizuar të drejtat kolektive të pakicave.

Aktualisht janë 24 prej tyre, duke përfshirë edhe Këshillin Kombëtar të Minoritetit Maqedonas. Prej pranverës së vitit 2024 kryetare e saj është Zorica Mitroviq, e cila më pas emëroi Jovanoskin sekretar.

“Ne jemi të hapur për bashkëpunim edhe me opsionet politike”
Të dy, si përfaqësues të këshillit, kanë pasur një takim me liderin e VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tashmë kryeministër, një muaj para zgjedhjeve parlamentare të 8 majit në Maqedoninë e Veriut.

“Në takim me kryetarin e VMRO DPMNE-së dhe kryeministrin e ardhshëm të Qeverisë së Maqedonisë është rënë dakord për bashkëpunim në shumë fusha pas përfundimit të zgjedhjeve dhe mbështetje e madhe për maqedonasit në Serbi dhe Këshillin Kombëtar”, thuhet në postimin e 10 prillit në faqen në Facebook të Këshillit Nacional të Maqedonasve në Republikën e Serbisë.

Jovanoski, i cili disa muaj më vonë e formoi lëvizjen VMRO-DPMNE Serbia, tha se si lëvizje është e hapur për bashkëpunim me të gjitha opsionet politike në të dyja vendet.

“Mbetemi të hapur për bashkëpunim me të gjitha institucionet dhe organizatat e rëndësishme kulturore, ekonomike, politike dhe qytetare në Maqedoni [të Veriut] dhe Serbi. Të gjithë, subjekte apo individë dashamirës në Serbi dhe Maqedoni, të cilët mund të ndihmojnë në realizimin e qëllimeve tona, janë të mirëpritur të përfshihen dhe të na mbështesin në synimin për të përmirësuar pozitën e komunitetit maqedonas në Serbi”, tha ai për REL-in.

Një gamë e gjerë qëllimesh për VMRO-DPMNE Serbia
Lëvizja është e regjistruar në një adresë në një ndërtesë në Beogradin e Ri. Ajo ka statutin e saj që thotë se organet e saj janë kuvendi, bordi drejtues dhe presidenti.

“Qëllimet janë të përcaktuara në statutin tonë, por mund të thuhet se qëllimi ynë është promovimi, edukimi dhe ruajtja e identitetit, zakoneve dhe traditës gjuhësore, kulturore dhe kombëtare maqedonase në Serbi”, theksoi Jovanoski.

Themeluesit ende nuk kanë vendosur se cilat do të jenë aktivitetet e para të kësaj lëvizjeje në Serbi.

“Kemi pritur që të përfundojë regjistrimi për të vazhduar me përgatitjen e projekteve dhe planeve të planifikuara që do t’i realizojmë në të ardhmen”, thotë Jovanoski, duke theksuar faktin se lëvizja është regjistruar zyrtarisht më pak se një muaj më parë.

Në statut mund të lexohen qëllimet si respektimi i të drejtave të njeriut, ruajtja e traditës maqedonase, kujdesi për kulturën maqedonase në Serbi dhe zhvillimi i traditës dhe zakoneve maqedonase, avancimi i marrëdhënieve maqedonase-serbe etj.

Mirëpo, spektri i qëllimeve është i gjerë, kështu që përveç atyre që kanë të bëjnë me traditën maqedonase, mund të theksohen edhe: “harmonizimi dhe ruajtja e sovranitetit, sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës”, “luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar”, “vendosja e llogaridhënies së bartësve të funksioneve publike”, “futja e rendit në sektorin joqeveritar”, “zhdukja e varfërisë”, “liria dhe pavarësia e medias”, “promovimi i shëndetit të kombit”, “mbrojtja e mjedisit”.

Themeluesi ishte një diplomat maqedonas në Beograd
Përfaqësuesi i “VMRO-DPMNE Serbia” para se të vendosej për të jetuar në Beograd, kishte kontakte me komunitetin vendas maqedonas në kuadër të karrierës së tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Në biografinë e tij profesionale në Linkedin, thuhet se para 18 vjetësh kishte nisur punën në MPJ në zyrën e ministrit të atëhershëm Antonio Milloshoski. Sipas përshkrimit të detyrave të punës që ka deklaruar në këtë rrjet social, ai ka pasur ndër të tjera përgjegjësi për agjendën e ministrit, organizimin e udhëtimeve, marrëdhëniet dypalëshe me fqinjët etj.

Ish-ministri Milloshoski, i cili tani është deputet dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të VMRO DPMNE-së, në një bisedë për REL-in, thotë se nuk ka të dhëna për lëvizjen në Serbi që mban emrin e partisë se tij, as nëse partia qëndron pas saj.

Miloshoski ishte shef i diplomacisë nga gushti i vitit 2006 deri në fund të korrikut 2011. Menjëherë pas largimit nga MPJ-ja, Jovanoski ishte në mision diplomatik në Ambasadën e Maqedonisë në Beograd, ku sipas biografisë, angazhimi zgjati rreth tre vjet. Ai ka qenë pjesë e ambasadës në periudhën nga viti 2017 deri në vitin 2020, pas së cilës është larguar nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Partia VMRO-DPMNE, pas rreth shtatë vjetësh opozitë, u rikthye në pushtet në Maqedoninë e Veriut me zgjedhjet e mbajtura më 8 maj të këtij viti. Ajo ka bashkëpunim të ngushtë dhe është një parti motër me Partinë Progresive Serbe (PPS), në radhët e së cilës është edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Marketing