VMRO DPMNE-ja e akuzon partinë më të madhe në pushtet, LSDM-në për partizim të regjistrimit të popullsisë, përmes angazhimit të drejtpërdrejtë të aktivistëve partiak në proces. Por për kreun e ekzekutivit, Zoran Zaev nuk ka asgjë kontestuese që simpatizantë të cilësdo partie politike ta kryejnë regjistrimin, pasi sipas tij, të gjithë janë shtetas të Maqedonisë së Veriut. Nga foltorja e Kuvendit, Zaev i apeloi opozitës të mos e bojkotojë operacionin statistikor, të domosdoshëm për planifikim në të gjitha sferat.
Pamë shumë shpërndarje të konkursit për kandidatë që do të jenë regjistrues, për regjistrimin që ne e kontestojmë, me metodologjinë e së cilës nuk pajtohemi dhe për momentin po mbledhim nënshkrime për të miratuar ligj që do ta anulojë. Pasi u publikuan këto dukuri në rrjetet sociale, dua me ironi ta pyes Kryetarin e Qeverisë dhe të LSDM-së: Sipas cilës metodologji organizatat komunale të LSDM-së do t’i zgjedhin regjistruesit? Kush sa anëtarë ka angazhuar apo mbase kush sa vota i ka sjellë në zgjedhjet e kaluara? Sa do të jetë pjesëmarrja e partnerëve të koalicionit në numrin e regjistruesve? Sa do të merr BDI, sa Besa? A do të respektohet gjinia, që askush të mos lëndohet?– deklaroi Aleksandar Nikollovski, VMRO DPMNE.
Ftoj opozitën të merr pjesë! LSDM bën thirrje dhe merr pjesë në regjistrim. LSDM nuk ka kurrëfarë ambiciesh të kurdis dhe imponojë regjistrues. Po, i bëjmë thirrje mes tjerash edhe anëtarëve tanë, që janë rreth 80 000, të paraqiten në ato komisione regjistruese. Presim të paraqiten edhe nga VMRO DPMNE. Iu bëj thirrje publikisht të gjithë qytetarëve tanë, para së gjithash profesionistë, që të paraqiten në regjistrim!- pohoi Zoran Zaev, Kryeminisitër.