VMRO-DPMNE-ja publikon informacione për një aferë të re në të cilën thonë se është i përfshirë i vëllai i kryeministrit Zoran Zaev, Vice Zaev. Sipas informacioneve nga partia opozitare të shpalosura para gazetarëve në takim joformal nga kryetari i saj Hristijan Mickoski, në vitin 2018, Tec Manastir ka hapur procedurë për furnizim publik për gërmime. Tenderin e ka fituar kompania Rubiton pronari i të cilës më vonë paraqet rastin në Sektorin për parandalimin e korrupsionit të organizuar në MPB. Sipas dëshmisë së tij të zbardhur nga VMRO-DPMNE-ja, drejtori i atëhershëm i TEC Manastir, Vasko Kovaçevski, i ka kërkuar kompanisë fituese që të heqë dorë nga tenderi dhe atë t’ia japë kompanisë “SV Invest”.
Pasi drejtori i kompanisë е ka refuzuar atë duke thënë se është e jashtëligjshme, ai është kontaktuar nga Vice Zaev i cili ka kërkuar që Rubiton ta kryej punën kurse 250 mijë euro t’i marrë Vice Zaev kesh. Pas një kohe kompania e humb punën dhe pëson dëm prej 30 milion denarësh – thonë nga VMRO-DPMNE.
Kur të dëmtuarit e paraqesin rastin në MPB, gjithmonë sipas VMRO-DPMNE-së, ish kryeshefi Llaze Vellkovski, e dërgon raportin në prokurori. VMRO-DPMNE-ja prezantoi dy dokumente zyrtare të ngjashme të raportit të firmosur dhe të dorëzuar në prokurori, në njërin prej të cilëve mungon pjesa ku përmendet Vice Zaev. Dyshimet e tyre janë se dokumenti është falsifikuar pasi është arkivuar. Nga kjo parti thonë se prokuroria e Villma Ruskovskën e ka lënë rastin në sirtar dhe prej një viti nuk ka asnjë epilog.
Vice Zaev për disa media ka thënë se Mickoski është i obsesionuar me të dhe se nuk ka asgjë të vërtetë në pretendimet e tij.
Publikimet e Mickoskit i ka përgënjeshtruar menjëherë edhe TEC Manastir. Ata dyshojnë se këto shpifje bëhen sepse pronari i kompanisë Rubiton është në lidhje të ngushtë familjare me ish drejtorin e Tec Manastirit që nga koha e VMRO-DPMNE-së.
Siç kemi raportuar në disa raste në lidhje me këto sulme të pabazuara dhe tendencioze ndaj uzinës dhe kompanisë, kontrata me kompaninë Rubiton që gërmoi tokë në minierën Suvodol, u ndërpre nga TEC Manastir më 7 nëntor 2018 për shkak të faktit që Rubiton nuk e ka kryer gërmimin me dinamikën dhe sasinë e parashikuara në kontratë, për të cilat ka procesverbale dhe dokumente të tjera përkatëse nga shërbimet profesionale të TEC Manastir – njoftojnë nga TEC Manastir.
LSDM-ja thotë se kjo është edhe një gënjeshtër tjetër e Mickoskit.
Nuk është hera e parë që i obsesionuari Mickoski të thotë gënjeshtra, të pavërteta, shpikje për familjen e kryeministrit Zaev. Por, kjo flet për gjendjen në të cilën ndodhet Mickoski. Ai mundet që 100 herë të përpiqet të shpikë afera që veprat e tij dhe veprat e Gruevskit t’ia ngjisë pushtetit aktual, por gënjeshtra nuk i zen rrënjë – thonë nga LSDM.
Të dy palët pranojnë se prishja e kontratës mes TEC Manastir dhe kompanisë Rubiton është pjesë e një procedure gjyqësore që vazhdon akoma.
https://alsat.mk/vmro-ja-akuzon-vice-zaevin-per-ryshfet/