VMRO-ja gjen mënyrën për të amnistuar zyrtarët e saj

VMRO-DPMNE-ja ka gjetur alternativë për amnistinë. Jo zyrtarisht, burime nga takimi i fundit i liderëve bëjnë të ditur se opozita kërkon ndryshime ligjore në Kodin Penal. Partia e Hristijan Mickoskit kërkon shfuqizimin e paragrafit 3 të nenit 96L të Kodit Penal i cili përcakton që vepra penale deri në 5 vite burg vjetërsohet pas 10 viteve nga koha kur ka dyshime se është kryer. Më këtë VMRO-DPMNE-ja, tenton t’i shpëtojë nga ndjekja penale ish funksionarët e saj të cilët aktualisht ndiqen nga Prokuroria Speciale Publike, transmeton Alsat-M.

Marketing

Duke u thirrur në nenin 353 të Kodit Penal i cili parasheh dënime nga 3,5 dhe 10 vite burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ish funksionarët e VMRO-DPMNE-së, përfshi edhe ish kryeministrin Nikolla Gruevski, rrezikojnë që për veprat penale që dalin nga përgjimet e paligjshme të vuajnë dënime të larta me burg.

Në rast se paragrafi 3 i nenit 96L shfuqizohet ose ndryshohet me masën 5 vjeçare, atëherë të akuzuarit e Speciales do të lirohesh nga ndjekja penale dhe me këtë, për veprat penale nga neni 353, keqpërdorim i detyrës zyrtare nuk do të ndiqen pasi që bazuar në faktin se veprat në fjalë ka dyshime të jenë kryer në vitet 2010-2012, viti 2018 përfshinë periudhë kohore më të madhe se 5 vjeçare, gjë që është në favor të opozitës për të shpëtuar bashkë-partiakët e tyre.

VMRO-DPMNE-ja edhe sot ka mohuar se kërkon amnisti. Sipas partisë më të madhe opozitare, Qeveria po manipulon me qytetarët dhe po tenton të shpërqendrojë vëmendjen nga problemet e përditshme të tyre.

Jo zyrtarisht, mësohet se në takimin e djeshëm katër subjektet pjesëmarrëse parimisht janë pajtuar që të kalojë Ligji mbi financimin e partive politike dhe formimi i KSHZ-së. Në rast se VMRO-ja vazhdon ta kushtëzojë formimin e KSHZ-së me Ligjin mbi Qeverinë, pushteti tashmë është pranë vendosjes së ndryshimeve ligjore në Kodin Zgjedhor në seancë plenare. Megjithatë, Qeveria pret që takimi i ardhshëm të kulmojë me kompromis për formimin e KSHZ-së dhe shpalljen e referendumit. Sa i përket pyetjes së referendumit të cilën e propozoi kryeministri Zaev në takimin e parë të liderëve, VMRO-ja kërkon që pyetja të jetë ligjore, respektivisht të mos i hutoj qytetarët.

Marketing