Shumica parlamentare hodhi poshtë propozimin e opozitës që në seancën e sotme në rend dite të vendoset edhe pika për shkarkimin e prokurores speciale Katica Janeva. Arsyetimi i opozitës është se kaluan një javë nga konstatimi i Komisionit për zgjedhje dhe emërime të cilët me vota unanime miratuan kërkesën e Këshillit të Prokurorëve Publik për shkarkimin e Janevës mbi bazën e punës jo profesionale, jo ligjore dhe të pandërgjegjshme. Nga shumica parlamentare thanë se është për shkarkimin e Janevës dhe miratimin e Ligjit për Prokurorinë Publike, por duhet pritur epilogu i marrëveshjes mes liderëve.
Ditë më parë kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi njoftoi se pika për shkarkimin e prokurores speciale dhe miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Prokurorinë Publike do të vendosen në njëjtën seancën plenare. Nisur nga fakti se atakimi Zaev-Mickoski nuk solli epilog, jo zyrtarisht mësohet se kreu i Kuvendit do të tregon mirëkuptim ndaj negociatave mes pushtetit dhe opozitës dhe se seanca plenare do të thirret në momentin kur do të ketë sinjale pozitive nga liderët.
Aktualisht procedura për shkarkimin e Janevës ka kaluar vetëm fazën e trupit punues, ndërsa shkarkimi i saj në seancë plenare duhet votuar me 2/3 e votave dhe me badenter. Nga ana tjetër, propozim-Ligji për Prokurorinë Publike ka ngecur në fazën e amendamenteve. Nga 51 të propozuar, Komisioni për Çështje Evropiane ka kaluar vetëm 10 prej tyre.