Dy njerëz të armatosur në motoçikletë vranë të premten një gazetar të njohur grek pranë shtëpisë së tij në Athinë, njoftoi policia.
George Karaivaz, një gazetar karriere i televizionit privat STAR TV, ishte i njohur në audiencën greke për mbulimin e ngjarjeve që lidheshin me rendin dhe me policinë.
Ende nuk ka njoftime rreth një motivi të mundshëm për vrasjen, por policia tha se vrasja ishte planifikuar me kujdes.
“Vrasja e një gazetari është një veprim i përbuzshëm prej frikacakësh,” tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një koment në Twitter.
“Evropa është për lirinë. Dhe liria e shtypit është ndoshta më e shenjta nga të gjitha,” tha ajo.
Policia tha se gazetari u vra të premten pasdite nga dy njerëz në motoçikletë, të cilët qëlluan me breshëri plumbash afër shtëpisë së tij në Alimos, në jug të Athinës. Të paktën 12 gëzhoja u mblodhën nga vendi i ngjarjes, tha një zyrtar i policisë.
“Ishte një atentat profesional,” tha zyrtari i policisë, i cili foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar të bënte deklarata për median.
Zëdhënësja e qeverisë greke Aristotelia Peloni tha se vrasja “na tronditi të gjithëve”.
“Autoritetet po hetojnë për të arrestuar autorët dhe për t’i sjellë para drejtësisë,” tha ajo./VOA