VOA: Marrëveshja e ndërmjetësuar nga Katari mes Izraelit dhe Hamasit, ‘më pranë se kurrë’

Një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Katari mes Izraelit dhe Hamasit që parashikon lirimin e pengjeve dhe një pauzë disaditore të luftimeve është në “fazat e saj përfundimtare” dhe “më pranë se kurrë”, tha të martën një burim në dijeni të bisedimeve për agjencinë ‘Reuters’.

Marketing

Marrëveshja do të mundësonte lirimin e rreth 50 pengjeve civile që mbahen nga Hamasi si dhe lirimin e grave dhe fëmijëve palestinezë nga institucionet e paraburgimit izraelite, tha i njëjti burim.

Nëse do të arrihej, kjo marrëveshje do të siguronte numrin më të madh të pengjeve të liruara deri tani si dhe shkëmbimin e parë të të burgosurve që nga fillimi i luftës më 7 tetor. Gjatë sulmit terrorist të 7 tetorit ndaj Izraelit, Hamasi mori rreth 240 persona peng si dhe vrau 1200 të tjerë, pjesa më e madhe civilë.

Më herët të martën shefi i Hamasit tha për agjencinë Reuters se grupi militant palestinez ishte pranë një marrëveshjeje armëpushimi me Izraelin edhe pse sulmet e përgjakshme në Gazë vazhdojnë dhe raketa po lëshohen në drejtim të Izraelit.

Përgjithësisht Izraeli i ka shmangur komentet mbi statusin e bisedimeve të udhëhequra nga Katari. Televizioni izraelit Channel 12 citoi një burim të lartë të qeverisë të paidentifikuar, që tha se “janë pranë (marrëveshjes)”, por nuk dha detaje të mëtejshme./VOA/