VOA: SHBA, sanksione të reja kundër Rusisë, dëbojnë 10 diplomatë

Shtëpia e Bardhë njoftoi dëbimin e 10 diplomatëve rusë dhe një raund të ri sanksionesh kundër Rusisë.

Masat vijnë në përgjigje të ndërhyrjes në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, si dhe piraterimit të agjencive qeveritare amerikane.

Për herë të parë, SHBA e lidhi drejtpërdrejt këtë ndërhyrje me njërin nga shërbimet ruse të zbulimit.

Marketing

Sanksionet, të paralajmëruara prej shumë javësh nga administrata, janë kundërpërgjigjja e parë që administrata e Presidentit Biden njofton kundër Kremlinit për sulmin ndaj kompanisë SolarWinds.

Ndërhyrja ndaj SolarWinds, u dha hakerëve qasje në mijëra kompani dhe zyra qeveritare që përdorin produktet e saj.

Sanksionet pritet të thellojnë ftohjen e marrëdhënieve tashmë të akullta midis Uashingtonit dhe Moskës, e cila ka vënë në provë durimin e perëndimit me grumbullimet ushtarake afër kufirit me Ukrainën.

Me sanksionet e reja Shtetet e Bashkuara gjithashtu ndëshkojnë Moskën lidhur me aludimet për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2020.

Në një raport të publikuar muajin e kaluar, agjencitë amerikane të zbulimit thanë se Presidenti rus Vladimir Putin ka të ngjarë të ketë urdhëruar një fushatë për të ndihmuar shanset për fitore të ish presidentit Trump.

Ky hap i Uashingtonit ka të ngjarë të përkeqësojë tensionet në një marrëdhënie që ra në një nivel të ri të ulët, pas komenteve të presidentit Biden, kur ai tha ai mendonte që Putini ishte një “vrasës”.

Në një bisedë telefonike të martën, presidenti Biden i tha presidentit Putin se Shtetet e Bashkuara do të vepronin “me vendosmëri” për të mbrojtur interesat e tyre.

Presidenti Biden gjithashtu propozoi një takim me presidentin Putin “në një vend të tretë” që të mund t’u lejonte udhëheqësve të gjejnë hapësira për të punuar së bashku./VOA