Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi sot se ka kërkuar rihapjen e procesit gjyqësor ndaj ish Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, lidhur me shpërthimin e ndodhur 13 vite me parë në një depo ushtarake në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona, mes të cilëve dhe fëmijë, ndërsa mbi 250 të tjerë u plagosën. SPAK u vu në lëvizje, pikërisht pas kërkesës së prindërve të 7 vjeçarit Erison Durdaj, një prej viktimave të shpërthimit.
Ish ministri I Mbrojtjes nuk u gjykua kurrë për ngjarjen e rëndë, madje ai nuk u thirr as dëshmitar në procesin gjyqësor që u zhvillua, ndaj një numri personash të përfshirë, që nga ushtarakë deri te biznesmenë të angazhuar në çmontimin e municioneve. Ndaj tij u zhvilluan hetime, dhe Prokuroria e Përgjithshme, një vit pas shpërthimit, në mars të vitit 2009, ngriti akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, duke e çuar çështjen në Gjykatën e Lartë.
Por 6 muaj më vonë, Kolegji Penal i kësaj Gjykate vendosi pushimin e çështjes, duke qenë se në gusht të atij viti, zoti Mediu kishte rimarrë mandatin e deputetit, duke rifituar kështu dhe imunitetin. Prokuroria e Përgjithshme nga ana e saj nuk i kërkoi më parlamentit heqjen e imunitetit për zotin Mediu, dhe në këtë mënyrë, dosja nuk u rihap asnjëherë, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të familjes Durda.
Në kërkesën e tanishme, SPAK, argumenton se motivi që çoi në vendimin e Gjykatës së Lartë në vitin 2009, nuk ekziston më. “Imuniteti parlamentar i deputetit gjen zbatim për caktimin e masave të sigurimit “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi”, heqjen e lirisë në çfardo lloj forme, në rastin e kontrollit të banesës apo të personit, por deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale ndaj tij, për hetimin apo për gjykimin e tij”, shpjegon SPAK në njoftimin e tij, duke nënvizuar se “ndjekja penale për çështjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë, pengesa e autorizimit për proçedim ka qënë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston”./VOA