Volejbollistet e UP-së, fituese të Universiadës së Dubrovnikut në volejboll

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka triumfuar në Universiadën e Dubrovnikut, në disiplinën e volejbollit për femra, e mbajtur në Kroaci.

Marketing

Ekipi ynë ka mposhtur në finale ekipin e Universitetit të Zagrebit.

Studentet e UP-së kanë qenë të pamposhtura gjatë gjithë universiadës, duke mos humbur asnjë set të vetëm në të gjitha fazat e garës. Madje, lojtarja më e mirë e turneut u zgjodh studentja jonë Blinera Jaha.

Dekani i FEFS-it, Musa Selimi, ka thënë se garat e tilla dëshmojnë për kualitetin e studentëve të UP-së dhe të sportistëve që ka vendi ynë.

“Ne që nga fillimi kemi besuar në vajzat e reprezentacionit për shkak të nivelit të lartë që kanë treguar edhe në garat paraprake dhe gjatë studimeve. Me këtë fitore ne ngritëm lart emrin e fakultetit, UP-së dhe të Kosovës”, theksoi ai.

Fitores iu gëzua edhe trajneri, Bahri Gjinovci, i cili është shprehur se studentët e UP-së tregojnë çdo herë paraqitje fantastike në të tilla gara ndërkombëtare.

Suksesin e FEFS e ka mirëpritur edhe rektori i UP-së, Marjan Dema, i cili ka motivuar studentet që të vazhdojnë të studiojnë e të punojnë me vullnet, sepse me këtë i bëjnë nder vetës dhe shoqërisë.

Në Universiadën e Dubrovnikut kanë marrë pjesë universitete nga Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova, ekipet e të cilëve garuan në disiplinat e basketbollit dhe volejbollit.