Volodymyr Zelensky nga Bucha: Ky është gjenocid

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vizitoi sot vendin ku ditë më parë u krye masakër nga trupat ruse që ishin duke u tërhequr nga rrethina e Kievit, transmeton Gazeta Metro.

Marketing

Ai e ka akuzuar Rusinë për kryerje të krimeve të luftës në Bucha, pasi dhjetëra trupa të pajetë të banorëve u gjetën në rrugët e këtij qyteti pas tërheqjes së trupave ruse nga kjo zonë.

Zelensky vizitoi këtë qytet që gjendet në periferi të Kievit, teksa kishte të veshur një jelek anti-plumb dhe ishte i shoqëruar nga personeli ushtarak.

Ai tha se skena të tilla e kanë bërë më të vështirë që Ukraina të ulet në tavolinë të bisedimeve me Rusinë dhe shtoi se negociatat duhet t’i japin fund luftës së paprovokuar që Moska nisi më 24 shkurt.

“Këto janë krime lufte dhe bota duhet t’i njohë si gjenocid”, tha Zelensky dhe shtoi se pret që të gjenden të dhëna të krimeve të ngjashme edhe në rajonet e tjera të okupuara, pasi trupat ruse të largohen nga këto zona.

Fotografitë dhe videot e publikuara kanë shfaqur dhjetëra trupa të civilëve të vrarë, disa prej të cilëve me duar të lidhura pas shpine. Këto imazhe kanë shokuar botën dhe kanë shtuar thirrjet për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë dhe që keqbërësit të ndiqen penalisht.