Von Cramon: BE dhe NATO me plan të ri për Kosovën

Disa eurodeputetë kanë kërkuar sanksionimin e Serbisë gjatë një seance për Kosovën në Parlamentin Evropian të martën, ku u diskutua për sulmin terrorist serb ndaj Policisë së Kosovës pak ditë më parë në veri të vendit.

Marketing

Deputetja gjermane Viola von Cramon e cila është edhe raportuese për Kosovën në PE tha se “sulmi brutal dëshmon se nuk mund ta marrim lirinë si të garantuar në Evropë.”

Ajo nënvizoi se lidhjet e Radojçiçit me Beogradin zyrtar “janë më se evidente”, dhe se Serbia “menjëherë” duhet t’i tërheqë të gjitha trupat nga kufiri me Kosovën.

“BE-ja dhe NATO-ja duhet të dalin me plan të ri për Kosovën. Gjermania duhet ta ndjekë shembullin e Britanisë për të rritur praninë ushtarake në Kosovë“, tha ajo, duke iu referuar vendimit të javës së kaluar të Britanisë së Madhe për dërgimin e 200 trupave shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Disa deputetë bënë thirrje për hetime ndërkombëtare dhe që përgjegjësit e sulmit ndaj Policisë së Kosovës në veri të vihen para drejtësisë.

Disa eurodeputetë madje kërkuan që Serbisë t’i ngrihen fondet derisa të kryhen hetimet. Ata e kritikuan BE-në për “përdorimin e një politike të butë” ndaj Serbisë, për trajtimin e Vuçiçit si mik, duke i dhënë fonde dhe hezituar ta dënojnë pushtetin e tij.

Parlamenti Evropian në seancën e ardhshme gjatë muajit tetor do ta miratojë dhe një rezolutë të veçantë për situatën në Kosovë.