Von Der Leyen, incidenti në Ankara dhe statusi i gruas

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha të hënën se ishte ndjerë e lënduar dhe e vetmuar gjatë takimit me Presidentin turk Recep Taip Erdogan dy javë më parë në Ankara kur u shënua incidenti i njohur si “skandali i divanit”. Gjatë vizitës së bashku me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, zonja von der Leyen nuk u ftua të ulej pranë Presidentin Erdogan si zoti Michel. Në dhomë kishte vetëm dy karrige dhe zonja von der Leyen u detyrua të ulej në një divan, më larg zotit Erdogan dhe zotit Michel që u ulën në karrige pranë njeri-tjetrit.

“Unë jam e para grua presidente e Komisionit Evropian. Jam Presidentja e Komisionit Evropian dhe duhet të isha pritur në përputhje me këtë status kur vizitova Turqinë dy javë më parë. Nuk gjej asnjë justifikim për mënyrën se si u trajtova, bazuar në traktatet evropiane. Kam arritur në përfundimin se ajo sjellje ishte rezultat i faktit që jam grua. A do të kishte ndodhur e njëjta gjë po të isha burrë me kostum e kollare? Në fotografitë nga takimet e mëparshme nuk pashë se kishte mungesë karrigesh, por gjiithashtu nuk pashë që në ato takime të kishte gra prezente,” tha zonja von der Leyen.

Ajo shtoi se incidenti godet në zemër të vlerave evropiane.

Marketing

“Unë ndjeva e lënduar, e vetme, si grua dhe si evropiane. Kjo s’ka të bëjë me arredimin e mjedisit apo protokollin. Kjo ka të bëjë me thelbin e identitetit tonë. Me vlerat e Bashkimit. Kjo tregon sa shumë punë mbetet për të bërë që gratë të trajtohen si të barabarta kudo dhe gjithmonë”.

Për incidentin kërkoi ndjesë Presidenti i Këshillit EvropianCharles Michel, i cili ishte i pranishëm në takim dhe u ftua të ulej në karrige pranë Presidentit Erdogan, ndërsa zonja von der Leyen priste në këmbë e konfuzuar, deri kur u ftua të ulej në divan:

“Lidhur me këtë incident protokollar, shpreh keqardhjen time publikisht për situateën që u krijua. I kërkon ndjesë Komisionit dhe atyre që u ofenduan. Faktet janë të njohura. Ekipi protokollar i Këshilllit nuk u lejua të shihte dhomën para takimit,” tha zoti Michel.

Duke pohuar se imazhet e transmetuara në hapje të takimit kanë ofenduar shumë gra, zoti Michel theksoi angazhimin e tij “të plotë dhe absolut në mbështetje të grave dhe barazisë gjinore”.