Presidentja e ardhshme e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, konfirmoi emërimet e dy kandidatëve të rinjë për komisionarë: Thierry Breton të Francës dhe Oliver Varhelyi të Hungarisë.
“Presidentja e ardhshme ka intervistuar kandidatët nga Hungaria dhe Franca dhe riafirmoi gatishmërinë dhe aftësinë e të dy kandidatëve, për të shërbyer si komisionarë evropian”, tha Mina Andreeva, një zëdhënëse e Komisionit Evropian.
Për të kompletuar ekipin e Ursula von der Leyen, nevojitet edhe një emërim tjetër nga ana e Rumanisë.
Zëdhënësja Andreeva, konfirmoi se presidentja e ardhshme e Komisionit Evropian u dërgoi një letër kolegëve të saj rumunë, duke u kujtuar atyre “rëndësinë e një propozimi nga ky vend sa më shpejt të jetë e mundur”.
Të propozuarit e rinjë duhet të marrin miratimin e Parlamentit Evropian.
Pamundësia për të kompletuar ekipin, ishte arsyeja kryesore që është shtyrë marrja e detyrës zyrtare nga ana e përbërjes së re të Komisionit Evropian më 1 nëntor.
Një datë më e përafërt e fillimit të punës së Komisionit Evropian është 1 dhjetori.
Parlamenti Evropian do të votojë për të gjithë ekipin e ri në pako më 27 nëntor, me kusht që deri në atë kohë të gjitha procedurat e emërimeve në këtë institucion të kenë përfunduar.
Parlamenti Evropian kishte refuzuar emërimet fillestare nga ana e Rumanisë, Francës dhe Hungarisë për komisionarë evropian.
Komisioni për Çështje Ligjore të Parlamentit Evropian, pati deklaruar se kandidati nga Hungaria, Lazslo Troszcanyi, nuk është i denjë të jetë komisioner i BE-së, sepse ka konflikte të pazgjidhura interesi.
Të njëjtin vendim PE-ja e pati marrë edhe për kandidaten rumune, Rovana Plumb.
Presidenti francez, Emmanuel Macron propozoi emrin e Thierry Breton për komisionar të ri, pasi zgjedhja e tij e parë, Sylvie Goulard, u refuzua nga ana e Parlamentit Evropian.