Vonesa dhe anulimi i fluturimit, ankesat më të shpeshta të udhëtarëve

Vonesa e konsiderueshme e fluturimit ose anulimi i tij, refuzimi për të hipur në aeroplan, akomodimi në klasë më të ulët. Me këtë kanë të bëjnë pjesa më e madhe e kërkesave për mbrojtjen e të drejtave të udhëtarëve të dërguara në Agjencinë e Aviacionit Civil.

Marketing

Që nga fillimi i vitit, në AAC kanë mbërritur 12 kërkesa për mbrojtjen e të drejtave të udhëtarëve, prej të cilave pesë janë tashmë të përfunduara dhe shtatë janë në proces të zgjidhjes. Në dy vitet e kaluara ka pasur 42 adresime të tilla drejtuar Agjencisë, e cila ka arritur të zgjidhë 39 lëndë. Për tre lëndë në fazë është korrespondenca me institucionet relevante për gjetjen e një zgjidhjeje përkatëse, në interes të opinionit që udhëton, shprehen për MIA-n nga AAC-ja.

Siç sqarojnë, ankesa fillimisht parashtrohet në kompaninë ajrore që ka operuar me fluturimin, për çka përdoret një formular që mund të gjendet në faqen e internetit të AAC-së. Nëse ata në afat prej gjashtë javëve nuk marrin përgjigje ose janë të pakënaqur me përgjigjen e marrë, i drejtohen për ndihmë juridike AAC-së ku duhet të dorëzojnë formularin që ia kanë dërguar kompanisë ajrore ose, nga ana tjetër, një kopje të formularit.

Legjislacioni vendor është harmonizuar me rregullativat evropiane në këtë fushë. Sipas tyre, udhëtarëve u paguhet dëmshpërblimi prej 250 deri 600 euro, nëse kompania ajrore ka vonesë me fluturimin për më shumë se tre orë, varësisht nga distanca e fluturimit. Për relacione deri në 1,500 kilometra, dëmshpërblimi është 250 euro, deri në 3,500 kilometra dëmshpërblimi është 350 euro, ndërsa mbi 3,500 kilometra – 600 euro. Në rast të anulimit të fluturimit brenda natës, kompania ajrore duhet t’u sigurojë udhëtarëve akomodim në hotel dhe transport deri te hoteli.

Rasti i fundit zyrtar i kësaj problematike te ne është vonesa e fluturimit Shkup-Hurgada, kur më 12-tin e këtij muaji turistët vendas pritën një aeroplan rreth 10 orë në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.

AAC-ja atëherë informoi përmes kumtesës se udhëtarët mund të kërkojnë kompensim përkatës nëse konsiderojnë se nuk janë respektuar të drejtat e tyre. Nëse vendosin ta bëjnë këtë, udhëtarët fillimisht duhet të parashtrojnë kërkesë për realizimin e të drejtave të tyre të udhëtarëve te operatori turistik, gjegjësisht agjencia e turistike përmes të cilës është organizuar aranzhimi ose te transportuesi ajror, shprehen nga AAC-ja.

Nga ana tjetër, në rast se udhëtarët nuk e marrin shërbimin për aranzhimin e lidhur, parashtresa dorëzohet në Inspektoratin Shtetëror të Tregut, dhe siç shprehet prej atje, paratë në afat prej tri ditëve duhet të kthehen udhëtarëve të dëmtuar.

Sipas të dhënave të operatorit të aeroportit TAV Maqedoni, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit dhe Aeroportit Sh. Pali në Ohër në gjashtë muajt e parë të këtij viti kanë udhëtuar 1.2 milionë (1.163.667) udhëtarë, gjë që paraqet rritje për 12 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në të dy aeroportet janë realizuar 9,792 fluturime, me një rritje vjetore prej tetë për qind.
Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit shërben 42 destinacione, 33 prej të cilave janë me buxhet të ulët, të operuara nga 13 kompani ajrore, ndërsa Aeroporti i Shën Palit shërben 20 destinacione, tetë prej të cilave janë ruta të rregullta gjatë gjithë vitit, por njëherësh edhe të buxhetit të ulët, prej 13 kompanive ajrore .

Sipas pjesëmarrjes në trafikun e udhëtarëve, Stambolli (të dy aeroportet – Stamboll dhe Sabiha Gokçen) është destinacioni më i frekuentuar në aeroportin e Shkupit me 10.1 për qind pjesëmarrje në treg, më pas vijojnë Cyrihu (6.9 për qind), Bazeli (5.4 për qind), Vjena (5.4 për qind), Malme (4.3 për qind), Bratislava (3.4 për qind).

Marketing