Votimi dhe konfirmimi i rezultateve, KShZ hodhi poshtë të gjitha kundërshtimet

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve hodhi poshtë të gjitha kundërshtimet e subjekteve politike për procedurën e votimit dhe procedurën e mbledhjes dhe konfirmimit të rezultateve. Më shumë kundërshtime pati partia e Majta, përkatësisht gjashtë kundërshtime, katër kundërshtime për në Shtip dhe dy për në Kisella Vodë, të cilat KSHZ i hodhi poshtë njëzëri për shkak të mungesës së provave.

Marketing

Njëzëri u hodhën poshtë edhe kundërshtimet e Partisë Demokratike të Turqve për procedurën e votimit dhe procedurën e mbledhjes dhe konfirmimit të rezultateve në disa vendvotime në Tetovë, Pllasnicë dhe në Lozovë. Debat ngjalli vetëm kundërshtimi i koalicionit ASh-Alternativa për një vendvotim në Dibër, ku sipas parashtruesit të kundërshtimit procesverbali në vendvotimin 543 ishte nënshkruar vetëm nga kryetari i Këshillit Zgjedhor.

“Janë futur numra në procesverbalin 21 për mbledhjen e rezultatit, I cili nuk është valid. D.m.th. ato rezultate edhe sipas detyrës zyrtare duhet t’i shpallim të pavlefshme.”,- tha anëtari i KShZ-së, Krenar Lloga.

“As në procesverbalin 21 nuk kemi asnjë vërejtje që në këtë vendvotim konteston numrat ose votat që janë shënuar në procesverbalin për vendvotimin 543.”,- u shpreh nënkryetarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu.

Paraprakisht KSHZ njoftoi se nga 28 kundërshtime të parashtruara nga subjektet politike, 17 ishin tërhequr nga vetë parashtruesit. KShZ nuk shqyrtoi kundërshtimet që ishin dorëzuar pas afatit.