Votohet përbërja e re e Anti-korrupsionit

Kuvendi e votoi përbërjen e re të Komisionit Anti-korrupsion. Në mesin e 7 anëtarëve të rinj është edhe Nuri Bajrami baxhanak i kryeparlamentarit Talat Xhaferi. Bajrami pranoi se Xhaferi është baxhanaku i tij, por ai nuk sheh asgjë të diskutueshme në këtë, e as që ka konflikt interesi.

Marketing

65 deputetë votuan PËR, ndërsa 10 votuan të përmbajtur. Deputeti Muhamed Zekiri i LSDM-së thotë se nuk ka asgjë kontestuese pasi baxhanaku nuk është familjar dhe se kandidati është vlerësuar sipas përvojës së tij profesionale.
Për Xhevat Ademin nga BDI-ja zgjedhja ishte transparente dhe e qartë. Përveç deputetëve, kandidatët e rinj janë intervistuar edhe nga sektori joqeveritar dhe kjo duhet të jetë praktikë edhe me zgjedhjen e trupave rregullatorë, tha Ademi.

Nga VMRO DPMNE-ja theksuan se e mbështesin procesin e intervistës publike të kandidatëve për Komisionin Anti- korrupsion, por konsiderojnë se ka lëshime dhe vlerësim selektiv.

Përveç baxhanakut të Talat Xhaferit, Nuri Bajrami, anëtarët e tjerë të Anti- korrupsionit janë kryetarja Biljana Ivanovska dhe anëtarët e tjerë Vlladimir Georgiev, Sovka Pejovska Dojçinovska, Katica Nikollovska, Goran Tërpenoski dhe Shemsi Sallai. Të gjithë dhanë deklaratë solemne se do ta respektojnë Kushtetutën e ligjet e Maqedonisë.