Brenda mafies siciliane, Cosa Nostra-s, një vrasës mbetet një vrasës. Për bosin, është një mjet si armë: pasi përdoret, ruhet në sirtar. Dhe, si një qen roje ose qen gjuetie, ai duhet të jetë i aftë në kafshimin e gjahut, por pastaj duhet të jetë besnik dhe i bindur, duke qëndruar i qetë në kolibe.
Nëse është shumë i aftë, rrezikon të kthehet në problem.
Dhe dreqi e di sa i aftë qe Giuseppe Greco, i njohur si Scarpuzzedda, autor i vrasjeve me emër, si ato të Rocco Chinnici-t, Carlo Alberto dalla Chiesa-s dhe Pio La Torre-s, si dhe Stefano Bontate-s, Salvatore Inzerillo-s dhe Rosario Riccobono-s gjatë luftës së dytë mafioze. Babain e tij e quanin “scarpa”- këpucë, ndaj dhe Giuseppen ose Pinon do e quanin “Scarpuzzedda”- këpucë e vogël.
Lufta që ndodhi mes viteve 1981 dhe 1984, pas konfliktit të brendshëm të Cosa Nostra-s. Një mosmarrëveshje lindi mes klaneve, për hegjemoninë e trafikut ndërkombëtar të heroinës dhe nga ambiciet e reja të fraksionit të Corleonezëve të kryesuar nga Totò Riina, Bernardo Provenzano dhe Leoluca Bagarella.
Vrasjet e Scarpuzzedda-s ishin rreth shtatëdhjetë, shifër që dha atij shumë famë dhe respekt brenda organizatës. Aq sa kreu i bosëve, Totò Riina, duhej ta shpërblente, duke e shndërruar në anëtar të Komisionit, kupolës që vendos strategjinë e mafies siçiliane, Cosa Nostra-s.
Më 6 gusht 1985, ai ekzekutoi me kallashnikov Ninni Cassarà-n, nënkryetarin e Skuadrës Mobile (Njësia e Policisë Kundër Krimit) të Palermo-s , së bashku me shoqëruesin e tij. Ninni Cassarà kishte marrë pjesë në operacionin e famshëm “Pizza Connection”, një hetim trafiku i drogës, i kryer nga FBI-ja, ku kishte bashkëpunuar edhe gjyqësori italian. Ishte vrasja e fundit e kryer fizikisht nga Greco.
Cosa Nostra sapo kishte dalë nga konflikti i brendshëm, më i përgjakshëm ndonjëherë dhe ishte në mes të një riorganizimi të ekuilibrit të fuqisë. Aq sa Totò Riina, i njëjti që e kishte shpërblyer duke e ngritur në gradë, filloi të frikësohej se Giuseppe Greco mund të kërkonte të fuqizohej edhe më shumë, dhe e rrethoi me ndjekës besnikë pranë vetes.
Për pasojë, vendosi që mënyra e vetme e sigurt për të shmangur këtë rrethanë të mundshme, ishte ta bënte atë të heshtte përgjithmonë.
Kështu, në shtator 1985, Totò Riina dërgoi Giuseppe Lucchese-n, një nga miqtë më të mirë të Scarpuzzedda-s, së bashku me Vincenzo Puccio-n, që i përkisnin klanit të Ciacullit. Me ta ishte edhe Marino Mannoia, i klanit të Santa Maria del Gesù.
Të tre shkuan në shtëpinë ku Greco qëndronte i fshehur. Pasi u hapi derën e shtëpisë mysafirëve të tij, Greco u kthye për t’u përgatitur kafenë: në atë moment, Lucchese e qëlloi me armë në pjesën e pasme të kokës.
Trupi i pajetë i Giuseppe Greco-s, që shtoi numrin e viktimave të Cosa Nostra-s, u tret më pas në acid.
Scarpuzzedda, nga të qenit xhelat i pamëshirshëm i Cosa Nostra-s, u bë viktimë e të njëjtëve vrasës që e kishin përdorur atë në dhjetëra vrasje.
Ai ishte vetëm 33 vjeç…