Vrasja dhe plagosja në Prizren, një muaj paraburgim për Dibran Hoxhën dhe të tjerët

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën nga një muaj paraburgim ndaj gjashtë të pandehurve, të cilat kanë kryer vepra të ndryshme penale.
D. H., dyshohet se ka kryer veprat penale: vrasje e rëndë, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe manipulimi me prova.

Marketing

Ndërsa A.V., B.M., J.B., K.G., dhe E.A., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale pjesëmarrja në rrahje.

I pandehuri D.H., më datë 3 janar rreth orës 04:00 e mëngjesit, në afërsi të lokalit të tij “K…C…”, në rrugën magjistrale Prizren – Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën V.C., duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit R.Sh., të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e dëmtuarit A.B., që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë.

Të pandehurit A.V., B.M., J.B., K.G., dhe E.A., më datë 03 janar rreth orës 04:00 të mëngjesit, në lokalin “K…C…”, marrin pjesë në rrahje pronë e të pandehurit D.H., e cila gjendet në rrugën magjistrale Prizren – Zhur, e cila rezulton me shkaktimin e lëndimeve të rënda për të dëmtuarin R.Sh..

Me rastin e caktimit të paraburgimit, gjykata ka marrë parasysh faktin se me lënien në liri të pandehurit mund të të fshihen apo të jepen në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.