Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha sot se mund të publikojë pamjet e aksionit për vrasjen e liderit të Shtetit Islamik Abu Bakr Al Baghdadi në mesin e shumë pikëpyetjeve pas mënyrës se si ai e përshkroi atë.
“Ne po e mendojmë këtë. Mund ta bëjmë. A po e mendoj unë publikimin e pamjeve video të aksionit. Po. Ne mund të marrim disa pjesë të saj dhe ta publikojmë”, ka thënë Trump.
Vetë Trump e ndoqi operacionin e forcave speciale për vrasjen e al Baghdadit përmes pamjeve të një droni ndërkohë që marinsat nuk kishin kamera në trup, thanë zyrtarë të ushtrisë dhe inteligjencës.
Trump e njoftoi suksesin e aksionit në një konferencë për shtyp duke thënë se Baghdadi kish vdekur duke qarë dhe duke u çjerrë si një qen dhe si një frikacak.
Ai i cilësoi imazhet video që kish parë si diçka të jashtëzakonshme dhe se ishte sikur po shihje një film. Helikopterët dërguan forcat speciale amerikane në vendin ku Baghdadi ishte fshehur, afër Idlibit në Sirinë veriperëndimore.
Në anën tjetër të botës, Trump ndiqte aksionin në kohë reale përmes një lidhjeje video ndërsa trupat kishin rrethuar shtëpinë dhe e kishin detyruar militantin e shumëkërkuar të vraponte, në hapat e fundit të jetës së tij, para se të hidhte veten në erë.
Pamjet shfaqeshin në disa ekrane video në dhomën e emergjencave në shtëpinë e bardhë. Sidoqoftë, burime ushtarake thanë se presidenti nuk ka mundur të shohë se çfarë ka ndodhur brenda shtëpisë apo momentin kur Al Baghdadi vrapoi drejt tunelit pa krye bashkë me tre fëmijët e tij. Po ashtu nuk ka pasur as audio gjatë aksionit ndaj për tu njohur me detajet, Trump do të ketë pasur nevojë për raportime direkte nga komandot që morën pjesë në operacion apo përmes zinxhirit të komandës ushtarake.