Vrasja e çiftit miliarder në Kanada, 35 mln dollarë shpërblim për çdo informacion

Vrasja e çiftit miliarder kanadez Barry dhe Honey Sherman në vitin 2017 ende nuk është zbardhur. Familja e tyre po ofron 35 milionë dollarë për këdo që i ndihmon ta kapin vrasësin, shkruan CNN.

Marketing

Më 15 dhjetor 2017, një agjent imobiliar gjeti trupat e tyre të pajetë në një rezidencë në Toronto. Trupat ishin në pishinën që ndodhej në bodrumin e vilës. Ai i gjeti në një pozicion gjysmë të ulur pranë njëri-tjetrit. Në qafë kishin një rrip që ishte i lidhur në gardhin e pishinës.

Barry ishte 75 vjeç, ndërsa gruaja e tij ishte 70 vjeç. Asnjë nga miqtë apo bashkëpunëtorët e tyre të biznesit nuk ka pasur kontakt me ta dy ditë para se të gjendeshin trupat e pajetë. Policia ka thënë se nuk ka shenja të hyrjes me forcë në shtëpi.

Ndërkohë, dolën shumë teori se kush mund të kishte vrarë themeluesin e prodhuesit kanadez të barnave gjenerike Apotex dhe gruan e tij. Ata ishin një nga çiftet më të pasur në Kanada.

Hetuesit kanë pesë vjet që po përpiqen të zbardhin rastin dhe deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar. Familja fillimisht premtoi 25 milionë dollarë për informacionet që do të çonin policinë në ndonjë arrestim. Në përvjetorin e pestë të vrasjes, djali i çiftit, Jonathon, e rriti shpërblimin në 35 milionë dollarë.

“Këtë javë bëhen pesë vjet që kur prindërit e mi u vranë në shtëpinë e tyre. Çdo ditë që atëherë ka qenë një makth. Jam i pushtuar nga dhimbje, humbje dhe pikëllim dhe këto ndjenja janë edhe më të theksuara tani. Ky rast nuk do të mbyllet deri sa ata që janë përgjegjës për këtë vepër të keqe nuk do të sillen para drejtësisë. Shpresoj se do t’i jap paratë si shpërblim dhe kjo do të nënkuptojë fundin e kësaj çështjeje”, ka thënë Jonathon Sherman për shërbimin kanadez të CBS News.

Fillimisht, rasti ishte cilësuar si vetëvrasje. Por gjashtë javë pasi u gjetën trupat e pajetë, u bë e ditur se në bazë të provave ishte konstatuar se në fund ishte një vrasje. U tregua se nevojiten kontrolle shtesë në shtëpi për të marrë informacione të reja. U bë me dije se ka mundësi që motivet e vrasjes të jenë të natyrës financiare.