Vrasja e tifozit në Greqi, mes të dyshuarve edhe një shqiptar që u kap me thikë

Policia greke vijon hetimet për të zbuluar autorin e vrasjes së 29-vjeçarit, disa netë më parë në Athinë, i cili humbi jetën si pasojë e plagëve me thikë, pas përleshjeve me një grup tifozësh të Dinamo Zagrebit, që kishin mbërritur një natë para ndeshjes që AEK do të luante me kroatët për eliminatoret e Champions League.

Marketing

Ndonëse ka pasur pista të ndryshme rreth vrasjes, madje u dyshua se në krim janë përfshirë dhe tifozë të Panathinaikos, policia bën me dije se e ka ngushtuar rrethin e të arrestuarve, duke mbajtur në pranga vetëm 13 prej tyre dhe lëshuar pjesën tjetër.

Mes të arrestuarve janë tre grekë, nëntë kroatë dhe një shqiptar, pozitat e të cilit nuk janë aspak të mira pasi u ndalua shumë pranë vendit të krimit dhe mbante një thikë të vogël me vete, e cila nuk dihet nëse është përdorur në vrasje apo jo.

Aktualisht, policia greke po heton me detaje kamerat e sigurisë, si dhe po ekzaminon materialin gjenetik dhe kontrollon celularët e të dyshuarve.