Vrasja në Tetovë, vazhdimësi e përplasjeve disamujore?

Ministria e Brendshme tashmë ka një të dyshuar si kryerës i vrasjes së mbrëmshme në Tetovë. Për të kanë lëshuar fletarrestim.

Marketing

“Inspektorët kanë kryer biseda zyrtare me persona-dëshmitarë të mundshëm të ngjarjes, janë kryer kontrolle plotësuese, pas së cilës tashmë ekzistojnë baza dyshimi për autorin e mundshëm të krimit, është lëshuar njoftim qendror për privimin e tij nga liria”, thonë nga MPB.

Në orët e mbrëmjes së 5 korrikut, 39 vjeçari me iniciale R.T. u vra me armë zjarri e cila u shkrep nga një makinë në lëvizje.

“Mbrëmë rreth orës 20 e 45 minuta, në SPB Tetovë, është raportuar se në rrugën “Shtipska” në Tetovë, një veturë e tipit Mercedes e cila ka qenë në lëvizje, ka gjuajtur me armë zjarri ndaj makinës BMV, ku ka qenë personi R.T. 39 vjeç nga Tetova, dhe nga plagët e marra ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes”, shtoi Fatmir Rexhepi – zëdhënës i SPB-Tetovë.

Pas ngjarjes, prokuroria doli në vendin e ngjarjes, pas çka dha urdhër për obduksion të trupit të viktimës dhe urdhër për sigurimin e incizimeve nga kamerat e sigurisë nga objektet e lagjes.

Jozyrtarisht, dyshohet se vrasja e mbrëmshme lidhet me rastin e para disa muajve të shkëmbimit të zjarrit para urgjencës në Tetovë, së cilës i parapriu një zënkë verbale përpara gjykatës së Tetovës. Gjatë kësaj përplasjeje me armë të 11 janarit 2024 mbetën të plagosur dy vëllezër nga fshati Gajre i Tetovës, njëri prej të cilëve ndërroi jetë nga plagët e marra. Përleshja me armë vazhdoi edhe pas katër muajsh, gjegjësisht më 11 prill, me çka në orët e mbrëmjes, me breshëri automatiku, u gjuajt në drejtim të një shtëpie në rrugën e “Ilinidenit”.

Marketing