28/12/2024
Ballina Lajme Shqipëri Vrau Jonadën me skaf, dënohet me 18 vite burg Arjan Tase

Vrau Jonadën me skaf, dënohet me 18 vite burg Arjan Tase

Gjykata e Vlorës ka dënuar me 18 vite burg Arjan Tasen, policin i cili përplasi me skaf 7-vjeçaren Jonada Avdiaj.

Marketing

Ish-zyrtari i Policisë së Shtetit u gjykua për vrasje me dashje në mënyrë indirekte, teksa me skafin e tij doli në breg për të sjellë familjen e tij dhe i mori jetën një të miture e cila kishte ardhur nga Anglia të bënte pushime në jug të vendit.

Prokuroria e Vlorës më 8 maj 2024 kërkoi deklarimin fajtor të Arjan Tases dhe dënimin me 15 vite burg për “vrasje me dashje”.

“Në konkluzionet përfundimtare, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë, deklaron se provohet se ditën e ngjarjes, në datën 02.08.2022, rezulton se i pandehuri Arjan Tase, ka qenë në drejtimin e një mjeti lundrues me dy motorë dhe pasi ka lënë disa persona në breg të detit, në momentin që është nisur për të dalë nga zona ku notonte shtetasi B.A. me vajzën e tij Jonada Avdia, mjeti ka marrë shumë shpejtësi duke shkuar në drejtim të tyre dhe në marrjen e kthesës motorat e tij kanë kapur vajzën e mitur duke e prerë në të gjithë trupin. E mitura ndërroi jetë në moment”, njoftoi Prokuroria.

SI NDODHI NGJARJA?

Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht 2022 në Plazhin e Potamit në Himarë, ku 7- vjeçarja Jonada Avdia, u godit për vdekje nga skafi me drejtues policin Arjan Tase, teksa ajo po lahej në det. E mitura u përplas fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend.

Fëmija, me origjinë nga Tropoja jetonte jashtë shtetit me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Tase ka qenë ish-shef i Policisë në Himarë, ndërsa kur ndodhi ngjarja ai mbante postin e shefit të Policimit në Elbasan, por Gledis Nano, aso kohe drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, e përjashtoi përfundimisht nga policia.

Për këtë ngjarje është shkarkuar i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si edhe inspektorët përgjegjës.

Marketing