Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski i kërkoi të mërkurën homologut rus Vladimir Putin që të rifillojnë bisedimet e paqes, pasi 4 ushtarë ukrainas mbetën të vrarë nga bombardimet në rajonin lindor të Donbasit. Kthimi i paqes në Donbas ishte zotimi kryesor i Zelenskit gjatë fushatës elektorale, që u kurorëzua me fitoren e tij në muajin prill. Ai deklaroi se në një bisedë telefonike të zhvilluar me Putin, i kishte kërkuar atij që të ushtronte influencën e tij tek luftëtarët e Donbasit dhe të binte dakord për të rifilluar bisedimet e paqes, sipas të ashtuquajturit “Formati i Normandisë”. Vdekja të martën e katër ushtarëve ukrainas përbën bilancin më të rëndë të viktimave që kur Zelenski mori detyrën. “I thash presidentit Putin se kjo ngjarje nuk na sjell afër paqes. Iu luta që të influencojë tek pala tjetër në mënyrë që njerëzit tanë të mos vriten më”, sqaroi Zelenski lidhur me bisedën telefonike. Në këmbim Putin kërkoi që trupat ukrainase të mos bombardojnë më bazat ruse në Donbas.