Vuçiç: Do padis SHBA për armatimet në Kosovë

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç shpërthen kundër Shteteve të Bashkuara dhe fuqive të tjera perëndimore, të cilat i akuzon për armatosjen e Kosovës. Ai e drejtoi gishtin edhe nga opozita dhe mediat pro opozitës në Serbi, që siç tha janë në shërbim të këtyre fuqive.

Marketing

Vuçiç paralajmëroi se po mendon të nisë një hetim, mbi armatosjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe atyre që po ndihmojnë në këtë qëllim në kundërshtim me rezolutën1244.

“Dua të hetoj se kush e shkeli Kartën e OKB dhe si guxuan ta bëjnë këtë. Po mendoj si të mos e vendos vendin në pozitë të vështirë dhe njëkohësisht të ruhet e drejta ndërkombëtare.”

Më herët gjatë këtij muaji Departamenti Amerikan i Shtetit miratoi shitjen e mundshme të raketave Javelin për Kosovën, me një vlerë prej 75 milionë dollarësh. Sipas DASH, shitja e armatimeve nuk do të ndryshojë ekuilibrin ushtarak në rajon.

“Kjo shitje e propozuar do të mbështeste synimet e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, i cili është një forcë e rëndësishme për qëndrueshmërinë politike dhe ekonomike në Evropë.”

Presidenti serb, i cili e kishte cilësuar njoftimin “një zhgënjim të madh për Serbinë”, sulmoi mediat pro opozitare dhe opozitën në Serbi se “nuk duan t’ia dinë çfarë po i bëjnë të huajt dhe shqiptarët Serbisë”.

Marketing