Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është shfaqur në një videomesazh me babain e tij, drejtuar popullit serb, për shkak të lajmit të publikuar nga mediat në Beograd që insinuan se babai i tij biologjik ishte gazetari shqiptar Fahri Musliu.
Teksa ndodhet pranë të atit, Angjelko Vuçiç, presidenti i Serbisë ka thënë se është krenar për prindërit dhe familjen që ka.
“Ata politikanë që mbrëmë tentuan të sulmojnë familjen Vuçiç përmes mediave të tyre, nuk sulmuan vetëm familjen tonë. Ata nuk sulmuan nënën time, gruan e babait tim, babain tim, mua… Ata sulmuan çdo familje në Serbi, duan shkatërrimin e familjeve tona dhe shkatërrimin e vendit tonë ashtu siç e shkatërruan nga viti 2000 deri në vitin 2012″, tha Vuçiç.
Presidenti Serbisë Vuçiç thotë se lajmi i pavërtetë që synon familjen e tij është publikuar për ta dëmtuar atë politikisht, sepse dy ditë më parë ai ka shpërndarë Parlamentin dhe ka njoftuar zgjedhjet e reja më datë 17 Dhjetor 2023.
“Ata kanë shkruar, për ata që nuk e dinë, se njëfarë zoti Fahri Musliu është babai im, duke dashur të them se është. Unë jam krenar për babanë tim. Ai është shumë më i mirë se unë dhe unë kam mësuar shumë prej tij… Për nënën time dhe unë e di se sa e ndershme, besnike dhe e nderuar ishte ajo ndaj tij, familjes dhe vendit.
Më lejoni t’ju them edhe një herë se babai im është Angjelko, e dua pafund dhe do t’i shpëtojmë të gjitha familjet në Serbi nga ju njerëz të papërgjegjshëm, nga ju të përndjekur, nga ju që do të shkatërroni gjithçka që ka bërë ky vend”, e mbylli presidenti serb video-mesazhin, duke përqafuar të atin Angjelko Vuçiç.
https://www.instagram.com/reel/CzLlkEgMmQp/?utm_source=ig_embed&ig_rid=c0adb250-83f5-457f-8054-77ce7fe9f9cd