Jam i shqetësuar për shkak të përshkallëzimit të mundshëm të konfliktit në rajon, por po punojmë që të mos vijë deri tek kjo.
Kështu është shprehur presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, në televizionin serb “Prva”.
Ai tha po ashtu se Serbia duhet të armatoset sepse “këtë po e bëjnë të gjitha vendet përreth nesh”.
“Jam gjithmonë i shqetësuar dhe po bëjmë gjithçka që të mos vijë deri tek destabilizimi në rajon. Edhe kjo iniciativa e Novisadit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut për ne është shumë e rëndësishme, sepse kjo është iniciativë edhe paqësore edhe politike, por edhe ekonomikisht e rëndësishme për ne”, ka thënë Vuçiçi, transmeton Koha.net.
Thotë se po armatosen Bullgaria, Rumania, Hungaria, Kroacia dhe vendet tjera më të vogla brenda mundësive që kanë.
“Shohim se kush po i armatosë shqiptarët në Kosovë e Metohi dhe çfarë helikopterësh po tregton Mali i Zi… krejt këto po i monitorojmë”, tha Vuçiçi.
Shton se Serbia nuk mund të shtyhet me Rumaninë për sa i përket parasë për armatosje “e as të blejmë sistemet që ata i blejnë, por mund të jemi me shtetet si Bullgaria e Hungaria”.
“Duhet të mendoni për radarët – për luftën elektronike dhe bllokimin, tani e tërë kjo zhvillohet në tjetër nivel. Përse po armatosen të gjithë në botë – s’ka më një polic në botë, dhe ka shumë lojtarë”, shtoi presidenti serb, ndërsa tha se “më mirë është të jesh një godzillë sesa një bambi”.
Ka thënë se më parë ka qenë një godzillë, ndërsa tani janë disa në pjesë të ndryshme të botës dhe janë para SHBA-së, Kinës e Rusisë, e ato janë India, Turqia, shtetet afrikane, Japonia, Indokina…
“Të gjithë brengosen për veten e tyre dhe e dinë se më nuk ka unitet, siç kishte në kohën kur 19 shtete sulmuan Serbinë dhe të gjithë shohin tani si të mbrohen. Nuk guxojmë të jemi të dobët. Nuk guxojmë të jemi bambi”, tha Vuçiçi.
Presidenti serb tha se vendi i tij ia ka dalë që ta kthejë çështjen e Kosovës tek dyert e mëdha kur kjo çështje për shumë ka qenë pothuajse e përfunduar.
Vuçiçi tha se e ka kuptuar se cila është ideja amerikane dhe cila ajo evropiane për Kosovën, dhe se nuk është i lumtur me to.
“Nuk jam i lumtur me rezultatin siç e shohin amerikanët, nuk do ta komentoja atë”, ka thënë Vuçiçi.
“Por, ia kemi dalë ta kthejmë Kosovën tek dyert e mëdha, kur kjo çështje për shumëkënd ka qenë e përfunduar”, tha ai.
“Njerëzit më lehtë e kanë të thënë ‘jemi kundër ndarjes apo demarkacionit’, por kush na ka ofruar këtë neve? Askush asnjëherë nuk na ka ofruar demarkacion, fatkeqësisht, sepse për ta Kosova është e tërë, e pavarur dhe pikë”, tha presidenti serb.
Sipas tij, Serbia duhet të punojë në mbrojtje të popullit të vet, në sigurinë e tyre, në gjendjen e tyre ekonomike, në shëndetësi, arsimim, pensione, “t’i ndihmojmë kur na vendosin sanksione, embargo në mallra”.
“Ndërsa për njerëzit që u thonë se Gjakova ‘është vend i lasht serb’, dërgojini ata atje. Tijaniçi ka thënë se ‘Kosova është fjala më e shtrenjtë serbe’, por askush s’po dëshiron të jetojë atje”, tha Vuçiçi.
Tutje, Vuçiçi foli edhe për liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, partia e të cilit doli fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit.
Ai tha se deklaratën e Kurtit, se do të zgjidh problemin më të madh të Kosovës – praninë e Serbisë në veri – e konsideron si kërcënim të hapur, por ka porositur se askush, e as Kurti, nuk do të mund t’i kërcënojë serbët.
“Nuk dua të përgjigjem me fjalor ofendues. Mundem vetëm të them se nuk do t’i kërcënojnë serbët”, tha ai, transmeton Koha.net.
Thotë se shqiptarët janë shumë nervozë, sepse nuk po u shkon siç kanë planifikuar.
Ata, thotë ai, po bëjnë atë që ne e kemi bërë në kohën para përfundimit të periudhës socialiste, nga viti 1987 deri më 1995, kur kishim “shqiptarë të ndershëm”, dhe s’e kuptonim se shumica dërmuese shqiptare ishin kundër.
“Ata sot gjejnë Rada Trajkoviçin e Rashiçin, ata që kanë dy për qind mbështetje të serbëve. Për dallim nga ne në të kaluarën, kur ka ekzistuar sistemi njëpartiak, ata sot mund të shohin saktësisht se çfarë mbështetje kanë. E keni kuptuar se nuk kanë një për qind mbështetje, por dëshironi të punoni me ta, por s’doni me ata që vërtet përfaqësojnë popullin serb. Nuk jam i lumtur për këtë, por gëzohem që bëni gabime sikur ne”, shtoi Vuçiçi.
Duke folur për helmimin e dyshuar të zyrtarëve të KQZ-së me zarfet me votat e ardhura nga Serbia, ai tha se s’ka asgjë të vërtetë aty, por shtoi se “shqiptarët janë prekur nga dy infeksione”.
“Njëra është që Lista Serbe ka marrë numër aq të madh të votave në Kosovë e Metohi, kjo ka vepruar në mënyrë shumë infektuese tek ta. Ndërsa infeksioni i dytë ka të bëjë me llogaritjet e tyre nëse do ta fusin edhe partinë e Pacollit”, tha Vuçiçi.
Tutje, ai tha se qytetarët serbë nuk janë të gatshëm të dëgjojnë të vërtetën, sepse kanë veshë të butë, dhe parapëlqejnë të dëgjojnë përralla, po shtoi se “unë nuk do ta gënjej popullin”, duke iu referuar deklarimeve të tija për “gjendjen reale në Kosovë”.