“Vuçiqit i rrezikohet jeta”, Vulin: E kam këshilluar presidentin të jetë vigjilent

“Presidentit serb Aleksandar Vuçiq i rrezikohet jeta pasi ka refuzuar të mbështesë vendet perëndimore në konfliktin në Ukrainë”.

Marketing

Kështu ka pohuar zëvendëskryeministri i sanksionuar nga SHBA, Aleksandar Vulin në një intervistë për median ruse, Ria Novosti.

Vulin tha se autoritetet serbe janë të shqetësuara për sigurinë e presidentit, pas tentativave për vrasjen e kryeministrit sllovak Robert Fico dhe ish-presidentit amerikan Donald Trump.

“Pas tentativës për vrasje ndaj zotit Fico dhe më vonë Trumpit, i thashë Vuçiqit të ishte vigjilentë”, tha Vulin, “kjo ndodh sepse të gjithë liderëve që bëjnë thirrje për një zgjidhje paqësore për Ukrainën, u ndodh diçka”, theksoi Aleksandar Vulin.

Serbia, një aleate tradicionale e shtetit rus, ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë ose të mbështesë politikat e SHBA-së për Kievin. Brukseli nga ana e tij ka këmbëngulur se aspirata e Beogradit për t’u bashkuar me BE nuk do të realizohet nëse nuk ndryshon kursin e saj në politikën e jashtme.