Vuçiq dhe Stoltenberg: Do të bëjmë gjithçka për ta ruajtur paqen

Do të bëjmë gjithça të jetë e mundur për ta ruajtur paqen dhe sigurinë në rajon, deklaruan sot presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë bisedës në ngjarjen e posaçme-Lidership për siguri rajonale, në kuadër të Forumit beogradas të sigurisë.

Marketing

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se është vështirë të bëhet dallimi mes paqes dhe luftës dhe se është e domosdoshme të jetë i përgatitur për të paparashikueshmen dhe paparashikimin edhe lidhur me gatishmërinë luftarake.

“Duhet ta pranojmë faktin se jetojmë në kohë të luftërave hakerike, luftërave hibride”, tha Stoltenberg, duke cekur se “ajo që duhet ta bëjmë është të përgatitemi për të paparashikueshmen dhe të jemi të gatshëm për reagim të shpejtë”.

NATO e shtoi gatishmërinë e vet luftarake, si dhe gatishmërinë e shërbimeve zbuluese dhe gatishmërinë në aspektin e teknologjisë së lartë, shtoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Stoltenberg shprehi edhe shqetësim lidhur me kthimin në skenë të retorikës nacionaliste në rajon.

“Nuk mundet Brukseli t’i zgjidhë problemet në rajon, por mund të ndihmojë. Me problemet duhet të përballen njerëzit të cilët jetojnë këtu dhe prandaj bëj thirrje për paqe dhe të mos i kthehemi retorikës nacionaliste”, tha Stoltenberg. Ai shtoi se me rëndësi është të përkujtohemi se rajoni ka kaluar rrugë të gjatë nga kohërat e luftërave dhe vuajtjeve në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.

“Unë nuk them se nuk ka më probleme, tensione dhe sfida, por jo shumë kohë më parë, gjendja ishte shumë më e keqe dhe më e rrezikshme, ndërkaq jo vetëm për njerëzit e rajonit, por edhe për pjesën tjetër të Evropës, sepse destabiliteti në rajon është rreziku kryesor i sigurisë për tërë territorin e Evropës dhe NATO-s”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Stoltenberg e përshëndeti idenë për krijimin e një hapësire të vetme edhe për treg të integruar rajonal.

Marrëdhëniet ekonomike e rrisin besimin dhe shpresoj se Serbia dhe i tërë rajoni do të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, tha Stoltenberg, duke shtuar se çdoherë duhet të jesh i përgatitur për të paparashikueshmen.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq gjatë debatit me Stoltenbergun tha se Serbia do të bëjë gjithçka për t’i evituar konfliktet dhe për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, sepse kjo është e domosdoshme për përparimin ekonomik.

“Ne çdoherë do t’i mbështesim fqinjët tanë, me Maqedoninë, do të japim gjithçka nga vetja për ta vazhduar dialogun me shqiptarët e Prishtinës, të vendosim marrëdhënie më të mira me liderët e rinj në BeH, mendoj se nuk ka dyshim se do të duhet të kemi marrëdhënie më të mira edhe me Kroacinë, aq sa mundet Serbia të kontribuojë”, tha Vuçiq.

Siç tha, “ne do të përpiqemi të mos u shkaktojmë kokëdhimbje fuqive të mëdha, por para së gjithash, të mos krijojmë kokëdhimbje për popullin tonë, të krijojmë ambient më të mirë ekonomik në mënyrë që të mund të zhvillohemi”.

“E dimë çka na është bërë, atë që ua kemi bërë të tjerëve, dhe duhet t’i evitojmë gabimet që i kemi bërë në të kaluarën dhe të kujdesemi për të ardhmen, që nuk do të jetë lehtë”, tha presidenti serb.

Vuçiq konfirmoi se ka biseduar me Stoltenbergun për incidentet në Kosovë dhe se janë dakorduar që presidenti i Serbisë mund të kontaktojë me të çdoherë kur të nevojitet në rast të problemeve të reja.

Marketing