Vuçiq i kërkon trajnerit të Serbisë fitore në ndeshjen ndaj Shqipërisë në futboll

Trajneri i ekipit kombëtar serb të futbollit, Dragan Stojkovic Piksi, mbërriti në takimin e Partisë Progresive Serbe në Nish për të mbështetur publikisht presidentin e vendit, Aleksandar Vucic.

Marketing

Stojkovici e ka mbështetur më parë Vucicin, dhe tani ai u shfaq në një tubim në qytetin e tij të lindjes. Vucic nuk e fshehu sa shumë do të thotë për të që Piksi i famshëm është në anën e tij.

Gjatë fjalimit të tij në tubim, Vucic ndau disa minuta dhe ia kushtoi ato Piksit, duke thënë se “Piksi nuk u fsheh si shumë të tjerë”.

“E pashë pak kohë më parë dhe e shoh edhe këtu. Një duartrokitje e madhe për trajnerin e Serbisë Dragan Stojkovic Piksi, legjendën e Nishit, i cili nuk u fsheh si shumë të tjerë”, tha Vucic në tubim.

Përveç kësaj, presidenti serb u ndal edhe te ndeshja kualifikuese ndaj Kombëtares së Shqipërisë më 7 qershor, duke i kërkuar fitoren ndaj kuqezinjve.

“Në qershor ose korrik do të luani atje kundër Shqipërisë. Shkoni për t’i mposhtur ata”, shtoi presidenti serb gjatë fjalimit të tij në skenë, duke shkaktuar kështu kënaqësi të madhe, por edhe emocione në fytyrën e Piksit.