Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot se Medvegja dhe Banja e Sjarinës do të mbeten Serbi dhe se shteti do të investojë më shumë para në atë pjesë të vendit.
Gjatë vizitës në Vlasotince, Vuçiq u bëri thirrje qytetarëve të mos shqetësohen ‘për kërcënimet e Prishtinës’.
“Dua të porosis njerëzit që jetojnë këtu dhe atyre me origjinë nga Kosova, që të mos shqetësohen, pasi rezultatet do të jenë në favor të Serbisë,” tha Vuçiq.
Ai tha se nuk shqetësohet për progresin ekonomik të Serbisë, por “për apetitet e disave prej Prishtinës, për shkak të të cilës ai do të vizitojë sot Medvegjën dhe Banjën e Sjarinës”.
“Qëllimi ynë është që të ruajmë paqen dhe stabilitetin, pasi vetëm në paqe mund të përparojmë. Dëgjoj rrëfimet nga Prishtina. Medvegja dhe Banja e Sjarinës janë natyrisht Serbi dhe gjithmonë do të jetë kështu”, porositi Vuçiq.