Vuçiq mund të dorëhiqet për shkak të Kosovës dhe sanksioneve ndaj Rusisë

Aleksandar Vuçiq mund të japë dorëheqje nga posti i presidentit të Serbisë për ta lënë dikë tjetër t’i vendosë sanksione Rusisë dhe ta mbyllë dialogun me Kosovën.

Marketing

Kështu shkruan gazeta serbe “Danas” këtë të shtune duke e cituar Dragan J.Vuçiçeviqin, që është kryeredaktor dhe pronar i tabloidit “Informer”, i cili ka deklaruar se ka informacione të besueshme se Vuçiq po planifikon të dorëhiqet.

“Dragan J. Vuçiçeviq tha se sipas informacioneve që ka nga bashkëpunëtorët e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq planifikon të japë dorëheqjen për të lënë “dikë tjetër” të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe të njohë pavarësinë e Kosovës, në një situatë ku presioni ndaj Serbisë për këto dy lëvizje është aq i madh sa që vendi nuk mund t’i përballojë”, ka shkruar kjo gazetë.

Vuçiçeviq në një paraqitje televizive tha se informacionet që i ka nuk mund t’i verifikojë, për shkak të “situatës së komplikuar”, drejtpërdrejt me Vuçiqin, sepse nuk mund të kontaktojë me të, por insiston se ato vijnë nga bashkëpunëtorët e presidentit nga qeveria.

Siç shkruan Danas, në rast se Aleksandar Vuçiq dorëhiqet duhet ta informojë publikun që e ka dorëzuar dorëheqjen dhe mund të shpjegojë arsyet për këtë veprim.

Kushtetuta e Serbisë thotë se nëse presidenti i Republikës jep dorëheqjen, shkarkohet ose pengohet të kryejë detyrën, ai zëvendësohet nga Kryetari i Asamblesë Kombëtare për maksimum tre muaj.

Nëse Aleksandar Vuçiq, i cili mban postin e presidentit të Serbisë, do të jepte dorëheqjen, Serbia do të udhëhiqej nga Vladimir Orliq, një anëtar i SNS-së në pushtet.

Marketing