Vuçiq: Nëse pranohet Kosova, Serbia do të tërhiqet nga Këshilli i Evropës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dalja e Serbisë nga Këshilli i Evropës (KiE) është një nga mundësitë në rast se Kosova pranohet në atë organizatë ndërkombëtare.

Marketing

“Ju shkoni me këtë dhe pastaj do të shohim nëse Serbia do të qëndrojë në Këshillin e Evropës apo jo”, tha Vuçiq për TV Prva, pasi KiE konfirmoi se kandidatura e Kosovës do të jetë në agjendë në fund të marsit.

I pyetur nëse  kjo është një nga opsionet që nëse Kosova pranohet në Këshillin e Evropës, Vuçiq edhe një herë konfirmoi se sigurisht që është “një nga mundësitë”.

“Këtë nuk do ta zbuloni para se ta bëni këtë (pranoni Kosovën në Këshillin e Evropës), kështu që do të shohim. Do të shohim, ndoshta do t’ju pëlqejë më shumë ta keni Prishtinën (Kosovën) në Këshillin e Evropës, sesa Beogradin dhe Serbinë”, tha ai.

“Ky do të ishte de facto dëbimi i Serbisë… Ne gjithmonë kemi pasur qëndrim liridashës”, tha presidenti serb.

Kujtojmë se Këshilli i Evropës ka konfirmuar se më 27 mars, në mbledhjen e Komisionit për Politikë dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare, në rend dite do të jetë raporti për Kosovën.