Me njohjen e Kosovës, Serbia nuk do të fitojë asgjë, kjo do të ishte vetëm një storje e mirë gazetareske, e unë nuk dua të përfundoj si Zoran Zaevi, tha Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke aluduar në Marrëveshjen e Prespës.
“Më modernë dhe më të mirë janë ata politikanë të cilët me entuziazëm do ta njohin pavarësinë e Kosovës, kurse pastaj Serbia nuk do të marrë asgjë në këmbim, ose do të marrë një storie të bukur tremujore në gazetat perëndimore, e të përfundojë si Zoran Zaevi me Marrëveshjen e Prespës”, tha Vuçiqi.
Siç thotë ai, gjënë e vetme të cilën e ka marrë Maqedonia nga BE-ja për Marrëveshjen e Prespës, ishte një storie e bukur tremujore në mediat perëndimore.
“Kështu që, sot njeriu nuk e di çka të bëjë me vetveten, pasi nuk i lejojnë që t’i hapë negociatat, pasi, as ai vetë nuk e di arsyen për këtë, nuk ka ndonjë shpjegim racional”, tha më tej ai.
Gazetari Aleksandar Çomovski në “Clcik Plus” të TV21 tha se kryeministri aktual Zaev ka kuptuar se së pari duhet zgjidhur çështjet strategjike.
“-Maqedonia kishte fat që e gjeti Zoran Zaevin. Pa një person të tillë, tash do të them pa një politikan me “ide të çmendura”, i cili ka kuptuar se çështjet kryesore strategjike zgjidhen në 2-3 vitet e para të qeverisjes, ne do të ishim njollë e zezë, oazë e zezë dhe shtet i varrosur”, vlerësoi Çumovski.
Ai shton se ky model i zgjidhjes së kontesteve, do të studiohet me të gjitha dobësitë e tij në skenën vendore, ndërsa Marrëveshjen e Prespës e sheh si shembull për rajonin.
“Në fund të fundit Vuçiqi dhe shkolla e Beogradit thonë – hajde të mendojmë se Marrëveshja e Prespës mund të jetë model për zgjidhjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe për statusin e Kosovës. Këto janë perceptime të reja që duhet t’i studiojmë”, shtoi më tej ai.
Maqedonia pas zgjidhjes së kontestit disa-dekadash me Greqinë, u përball me një problem të ri me fqinjin lindor, Bullgarinë. Ata e penguan rrugën e vendit tonë drejt BE-së, duke e kundërshtuar faktin se ekziston gjuhë maqedonase e cila dallohet nga ajo bullgare. Sofja zyrtare kërkon nga Shkupi të pranojë se kombi dhe gjuha maqedonase kanë rrënja bullgare dhe t’i japë fund retorikës anti-bullgare në vend.