Vuçiq: Nuk ka plan për Kosovën

Marrëveshja për Kosovën nuk është arritur, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke i hedhur poshtë informacionet jozytare se Serbia ka rënë dakord me perëndimin për një zgjidhje përfundimtare për çështjen e Kosovës.

Marketing

“Ditëve të fundit ka pasur shumë lajme të rreme për atë se si bëhen marrëveshjet e mëdha dhe për atë se si plani tashmë është hartuar. Nuk ekziston asnjë plan i madh dhe asnjë marrëveshje e madhe”, tha Vuçiq në Beograd, pas kthimit nga një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara.

Vuçiq përsëriti se kushti i tij është që të mos ketë bisedime thelbësore me Prishtinën, derisa të hiqet taksa 100 për qind që Kosova u ka vënë mallrave serbe.

“Sa u përket çështjeve taktike, në Uashington kemi diskutuar për të ashtuquajturin mini-shengen, lëvizjen e shpejtë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit, si dhe për ndërtimin e autostradës dhe vendosjen e linjës hekurudhore dhe ajrore”, tha Vuçiq, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Ai deklaroi se u ka thënë zyrtarëve amerikanë, me të cilët është takuar në Uashington, se Serbia nuk do të punonte për çnjohjet e mëtejshme të Kosovës, sikur Kosova të nënshkruante se nuk do të kërkonte pranimin në Interpol, Unesco dhe organizata tjera ndërkombëtare para përfundimit të dialogut me Serbinë.

“Marrëveshja duhet të jetë kompromis dhe jo dëshirë e njëanshme. Ky është kushti i vetëm”, tha mes tjerash Vuçiq.

Ai po ashtu njoftoi se gjatë 10 ditëve të ardhshme do të bëjë një vizitë zyrtare në Gjermani, ku me kancelaren Angela Merkel do të diskutojë për Kosovën.

Kujtojmë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar me homologun e tij, Aleksandar Vuçiq të hënën në Shtëpinë e Bardhë.

Pas takimit, Thaçi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në takim me zyrtarë të lartë amerikanë është diskutuar mundësia e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ka filluar më 2011.

Ky proces është ndërprerë që nga vendimi i autoriteteve të Kosovës për vendosje të tarifave 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, në nëntor të vitit 2018.