Presidenti serb Aleksandër Vuçiq tha sonte se nuk ka dyshim se Serbia ka mbështetjen e SHBA-së për heqjen e tarifave, sepse ata besojnë se është e rëndësishme të vazhdohet dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës.
“Kishim një bisedë të gjatë, Pompeo donte të dëgjonte qëndrimin e Serbisë për Kosovën”, ka thënë Vuçiq, përcjell lajmi.net.
Presidenti serb njoftoi sonte, pas takimit me Pompeo në Nju Jork, se Serbia e ka mbështetjen e SHBA-së kur bëhet fjalë për heqjen e tarifave dhe vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës.
“Unë i kërkova administratës amerikane të përpiqet, edhe pse ka bërë përpjekje deri më tani, të ushtrojë një ndikim edhe më të fortë te shqiptarët e Kosovës për të hequr tarifat e vendosura për ne një vit më parë. Nuk ka dyshim që ne kemi përkrahje të SHBA-së në këtë drejtim, sepse ata, ashtu si ne, mendojnë se është e rëndësishme të vazhdohet dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës “, ka shkruar Vuçiq në Instagram
“Ne kemi biseduar për gjithçka për një kohë të gjatë. Ai dëshironte të dëgjonte se çfarë mendon para së gjithash Serbia për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Unë kam shprehur qëndrimin e Serbisë në mënyrën më të shkurtër dhe më të thjeshtë”, ka thënë Vuçiq.